
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka ende një vendim nëse do të pranojë të takohet në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Borrel i ka ftuar ata në një takim dypalësh, por Kurti tha sot për gazetarët se javën që vjen do të japë një përgjigje nëse do të shkojë apo jo në takim.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesë pikësh. Mirëpo, tash kemi një kërkesë që takimi të jetë javën e ardhshme. Njëherë u tha data 22, pastaj 23 dhe sërish data 22.
Unë do ta diskutojë me ekipin tim dhe me siguri që do të japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, tha Kurti para gazetarëve pas nderimit që bëri te pllaka në Parkun e të Pagjeturve.
Ai më tej shtoi se në këtë dialog është i angazhuar, por tha se ajo çfarë po mungon është sekuencimi për zbatimin e plotë, pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe i aneksit të zbatimit.
“Një sekuencim i cili do të ishte i balancuar e fer, e që praktikisht është krejt i ndryshëm prej atij çfarë ne na u pat ofruar më 26 prill.
Pra, jemi të përkushtuar, jemi konstruktiv, por nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10…. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar t’i përfshij patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmasa”, tha kryeministri.
Lini një Përgjigje