Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se grupi i armatosur që u përlesh me policinë e Kosovës të dielën në fshatin Banjskë nuk ka asnjë lidhje me Beogradin. Në një intervistë për Radiotelevizionin Vojvodina, ai u shpreh se shqiptarët mund të formonin formacione të armatosura, siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilën ai e cilësoi si terroriste dhe në emër të saj në negociatat në Rambuje mori pjesë Hashim Thaçi.
“Të gjithë do të mundohen ta lidhin me Beogradin, por këtu bëhet fjalë për përfaqësues autoktonë të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe që kanë të drejtë legjitime të shprehin mendimin e tyre për politikën e Kurtit, të paktën aq sa kishin shqiptarët në Jugosllavi. për të bojkotuar zgjedhjet, institucionet, për të demonstruar. Nuk është në interesin tonë që të ketë humbje të jetëve njerëzore, as serbë e as shqiptarë, dhe më së miri do të ishte që i gjithë procesi të kthehej në atë që vendosëm 10 vjet më parë, të përpiqemi të arrijmë normalizimin e jetës së përditshme. përmes dialogut, pa hyrë në çështjet e statusit, por këtu vijmë te problemi kyç që Kurti nuk pranon një qëndrim të tillë ndaj asaj çështjeje”, tha Daçiç në një intervistë për Radiotelevizionin Vojvodina.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.
Lini një Përgjigje