Edhe këtë radhë, sërish britanikët ishin në avanguardë së bashku me gjermanët e BND, ndërkohë që amerikanët kanë qenë më në hije...
Është përsëritur thuajse me të njëjtin intensitet situata e vitit 1999, kur komandanti i trupave të KFOR në Kosovë, gjenerali britani Michael Jackson u përplas ashpër me kryekomandantin e NATO-s, gjeneralin amerikan Wesley Clark për fatin e trupave ruse që hynë në Kosovë.
Siç mësohet nga burime diplomatike, ditën e operacionit të 24 nëntorit, në terren ka pasur oficerë britanikë të shërbimit sekret MI6 por edhe trupa speciale SAS, të cilët prej vitesh trajnojnë forcat speciale të policisë së Kosovës.
MI6 britanike, siç është vërtetuar prej vitesh, është shërbimi që ka informacion më të hollësishëm për tranzirat në Ballkan, e ka qenë në avanguardë që prej vitit 2016, në tentativën e GRU ruse për të vrarë Milo Gjukanoviçin, goditjen e Zoran Zaevit dhe Zijadin Selës në Maqedoninë e Veriut në 2017, por edhe raste të tjera.
Edhe këtë radhë, sërish britanikët ishin në avanguardë së bashku me gjermanët e BND, ndërkohë që amerikanët kanë qenë më në hije.
Edhe lajmërimin për shërbimin e NATO-s për planin e trazirave e siguruan anglezët, siç edhe paralajmëruan KFOR për sulmin e paramilitarëve serbë ndaj tyre në Leposaviç.
Vonesa në reagim e KFOR, ishte vetëm si pasojë e ngadalsisë së kundërveprimit të komandës italiane të KFOR, e cila mori urdhër nga Roma, për t’i lënë hapësirë negociatave politike me Beogradin. Të cilat i dhanë kohë paramilitarëve për të goditur rëndë ushtarët e KFOR, çka u konsiderua nga kryeminisrja e Italisë, Giorgia Meloni, një prerje në besë nga ana e serbëve.
Ndërkaq, britanikët, së bashku me forcat e policisë së Kosovës kanë ndjekur me detaje të gjithë lëvizjet e grupit të armatosur serb që nga armatosja, transportimi i arsenalit, organizimi, e deri tek grumbullimi në Manastirin e Banjskës.
Reagimi i shpejtë dhe efikas i policisë speciale të Kosovës, ka ndodhur edhe falë informacioneve adekuate të britanikëve.
Mësohet gjithashtu, se gjatë shkëmbimit të informacionit ka pasur mjaft përplasja të shërbimeve sekrete britanike me amerikanët, madje deri edhe akuza se inteligjenca amerikane ka pasur dijeni të plotë, madje edhe kontakte me trupat e armatosura të Radojçiçit.
Megjithatë, përplasjet arritën kulmin në orët e fundit të operacionit kundër terroristëve, pikërisht kur mbërritën urdhrat për të mos asgjësuar totalisht grupin e armatosur. Falë ‘know how’ dhe profesionalizmit, forcat speciale të policisë së Kosovës, kishin nën shënjestër thuajse të gjithë grupin, i cili për një kohë të shkurtër mund të asgjësohej i gjithi. Por këtu Vuçiç ka aktivizuar kanalet nga Uashingtoni që të negocionte në shpëtimin e sa më shumë rebelëve që ndërmorën një sulm terrorist në Kosovë.
Ndaj Vuçiç deklaroi pas ngjarjes se të vrarët nuk janë asgjësuar ndërsa po kryenin aksion, por nga larg me snajper.
Siç mësohet, britanikët kanë argumentuar, se nëse nuk arrestohen të gjithë ata që janë armatosur, mund të forcohen edhe më shumë e kthehen në Kosovë, me një egërsi më të madhe.
Albin Kurtit, ndërkaq i është bërë ofertë që të lejojë një koridor largimi, gjë që ai e ka refuzuar kategorikisht. Ka shumë gjasa që këtë histori ta kemi të pasqyruar në mediat perëndimore, siç ndodhi me sherrin Jackson-Clark, që ishte edhe pasqyrim i përplasjeve Bill Clinton-Tony Blair.
Edhe atëherë, amerikanët po negocionin me Boris Jelcinin në mënyrë të pavarur, madje thuhet se kanë paguar shuma të mëdha parash që Rusia të mos bënte zhurmë për çlirimin e Kosovës.
Edhe këto ditë, vihet re qartë se si zyrtarët apo parlamentarët britanikë janë më të ashpër me Beogradin dhe Vuçiç.
Ndërkaq, britanikja The Guardian, ka qenë 24 orë në 24 më aktivja ndër mediat e Europës për të pasqyruar ngjarjet e Kosovës, e ku kanë qenë prezent si Kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla. / Pamfleti
Lini një Përgjigje