TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Dhjetor 2025, 16:35

SHBA paralajmëron rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën: Synojmë të forcojmë bashkëpunimin me qeverinë e re

Shkruar nga Pamfleti
SHBA paralajmëron rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën:
Ambasada e SHBA Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka deklaruar se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pret të punojë ngushtë me qeverinë e re për të avancuar agjendën e përbashkët me Kosovën, duke përfshirë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik, të pezulluar që nga shtatori për shkak të mospajtimeve me qeverinë Kurti.

Në një reagim me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ambasadës amerikane tha se “shpresojmë që partneriteti ynë të thellohet me qeverinë e re të Kosovës”, ndërsa theksoi se rifillimi i Dialogut Strategjik do të kërkojë veprime konkrete për të përparuar paqen rajonale, stabilitetin dhe bashkëpunimin ekonomik.

Ky sinjal i diplomacisë amerikane vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi në një intervistë televizive se raportet me SHBA-në janë “shumë të mira”, dhe se mospajtimet kanë qenë gjithmonë të lidhura me Serbinë, jo me marrëdhëniet bilaterale. Ai shtoi se në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Megjithatë, në shtator të këtij viti, Uashingtoni njoftoi pezullimin e Dialogut Strategjik për një kohë të pacaktuar, duke shprehur zhgënjim me qasjen e Qeverisë Kurti në veriun e Kosovës. Ambasada e SHBA-së asokohe theksoi se veprimet e njëanshme të qeverisë kishin rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në vend, veçanërisht pas vendimeve për ndërrimin e targave serbe, ndalimin e dinarit dhe mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti ka mbrojtur veprimet e tij si përpjekje për të shtrirë sundimin e ligjit në veri, duke u thirrur në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas tij, pezullimi i Dialogut erdhi si rezultat i përplasjes me strukturat ilegale serbe, përballë të cilave ai ka refuzuar të bëjë kompromis.

Dialogu Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës ka përfshirë më parë diskutime të nivelit të lartë mbi çështje kyçe si siguria, energjia, ambienti, bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik. Ai shihet si një platformë që forcon lidhjet dypalëshe dhe mbështet integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

shba kosove ambasada

Lini një Përgjigje