TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Maj 2023, 18:18

Serbët sulmuan ekipet e mediave, reagon ambasadori i BE-së: Gazetarët të lejohen të kryejnë punën pa frikë

Shkruar nga Pamfleti

Serbët sulmuan ekipet e mediave, reagon ambasadori i BE-së:

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka dënuar dëmtimin e makinave të ekipeve të mediave të cilat po raportonin në veri të Kosovës.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, ambasadori i BE ka thënë se gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre, përkundër situatës së tensionuar.

“Bashkimi Evropian dënon dëmtimin e sotëm të makinave që i përkasin KallxoLive dhe RTV Dukagjini. Edhe pse situata e sigurisë në veri është e tensionuar dhe e vështirë, gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre”, shkruan ai.

Gjatë ditës është raportuar për dëmtimin e disa makinave të mediave në veri të Kosovës të cilat po raportonin live, ndërsa njërës prej tyre i është vënë zjarri. Mes mediave të sulmuara është edhe Top Channel, ku dy persona me kapuça dhe maskë, kanë shkruar me bojë simbole serbe në makinën e ekipit që po raportonte në veri.

Disa serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, kanë protestuar duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komuna. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futen në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

 

ambasador be serbe kosove

Lini një Përgjigje