
Ambasadori amerikan në largim në Beograd, Christopher Hill, tha sonte se nuk e përjashton ndryshimin e politikës së SHBA-së ndaj Serbisë pas kthimit të Presidentit të sapozgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe shprehu pritjen që marrëdhëniet mes dy vendeve të bëjnë progres të mëtejshëm.
Para se të largohej nga Beogradi, Hill tha për RTS se ishte optimist për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Serbe.
“Është vërtet e vështirë të thuhet (nëse do të ketë një ndryshim politikash). Mendoj se administrata e ardhshme e Trump, pra një pjesë e stafit të saj, ka përvojë në punën me Serbinë, kështu që nuk do të përjashtoja një ndryshim”, tha Hill, raporton "Danas".
Diplomati amerikan shprehu besimin se dy vendet do të vazhdojnë t'i përmirësojnë marrëdhëniet dhe theksoi se sot Serbia është në gjendje të pajtohet me SHBA-në për shumë më tepër gjëra se më parë.
Diplomati amerikan, i cili ishte ambasador në Maqedoninë e Veriut, Poloni dhe Korenë e Jugut, tha se ishte shumë i zhgënjyer me situatën në Kosovë, teksa fajtore bëri Prishtinën për mungesën e progresit në dialogun e Brukselit.
“Kosova është dashur të bëjë disa gjëra, siç është mbrojtja e popujve të ndryshëm, përfshirë serbët. Më duhet të them se më duket shumë zhgënjyese sa larg kemi arritur në Kosovë. Është shumë e qartë se kjo është një situatë e pakënaqshme”, tha Hill.
Ai shprehu shpresën se do të ketë “përpjekje më të madhe” në dialog, duke thënë se Bashkimi Evropian po përpiqet shumë dhe se ka një sfidë të konsiderueshme përpara.
“Mendoj se shumë prej nesh janë shumë të zhgënjyer me mungesën e progresit në dialogun e Brukselit. Dhe shumë arsye për atë dështim, për mendimin tim, janë në anën e qeverisë së Kosovës. Varet nga ne që të mbështesim Evropën dhe të shohim nëse mund të bëhet ndonjë përparim. Por nuk jam i kënaqur me atë që është arritur”, tha ai.
Ai shtoi se është optimist se Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit në prill 2013, do të duhet të krijohet.
Lini një Përgjigje