TAGS-AT E JAVËS

Kosova 1 Janar 2024, 09:15

Pritjes i erdhi fundi! Sot në mëngjes fluturimi i parë pa viza nga Kosova në BE

Shkruar nga Pamfleti

Pritjes i erdhi fundi! Sot në mëngjes fluturimi i parë pa viza

Pritjeve të gjata u erdhi fundi. Nga sot qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Kosovarët nuk do të presin më para zyrave të ambasadave të huaja për një vizë, e as nuk do të shpenzojnë për termine e pagesë vizash.

E për ditën e parë pa viza, Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizon udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, do të qëndrojnë në Aeroportin “Adem Jashari” për t’i uruar dhe përshëndetur qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza.

Kurti e Gërvalla do të mbajnë konferencë për media.

Udhëtarët e parë që që do të shkojnë pa viza do të udhëtojnë drejt Vjenës.

Komisioni Evropian vlerësoi që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i përmbushi të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi u shty.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi pritej të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, për të  gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës.

Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim sqaroi se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

Lini një Përgjigje