Policia e Kosovës ka pasur shkëmbim zjarri me një grup serbësh në Veri....
Rikthehen tensionet në Veri të Kosovës. Një patrullë policie është sulmuar me armë zjarri pak minuta më parë.
Policia kosovare bën me dije se gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, disa efektivë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot rreth orës 06:15, në fshatin Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.
Sipas një njoftimi për media, në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga personat në fjalë. “Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të kamionit, sipas njoftimit për media janë gjetur të ngarkuara 40 dele, pa dokumentacion, që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.
“Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale: ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘kontrabanda e mallrave’” , thuhet në njoftim.
Kjo është ngjarja e parë e ndodhur pas sulmit në Bnajskë. Mercenarë serbë sulmuan policinë e Kosovës duke vrarë një efektiv, ngjarje që alarmoi NATO, BE dhe gjithë rajonin. Si duket serbët vijojnë të shkaktojnë tensione.
Lini një Përgjigje