
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026, duke e fokusuar mesazhin tek reflektimi për vitin që po mbyllet dhe angazhimi për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar për vendin. Në mesazhin drejtuar qytetarëve dhe bashkatdhetarëve, Osmani ka vlerësuar vitin e kaluar si një periudhë me sfida të shumta, por edhe me vendime të rëndësishme shtetërore.
Sipas presidentes, Kosova ka dëshmuar vendosmëri në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit shtetëror, duke u përballur me përpjekje destabilizuese dhe duke ruajtur rolin e saj si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Osmani ka theksuar se këto qëndrime kanë ndikuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe në rritjen e besueshmërisë së saj në arenën ndërkombëtare.
Në mesazhin e Vitit të Ri, presidentja ka pranuar se viti ka qenë sfidues edhe për shkak të vonesave në themelimin e institucioneve, por ka nënvizuar se kjo periudhë ka treguar forcën e demokracisë dhe të qytetarëve të Kosovës. Ajo ka vlerësuar kontributin e punëtorëve, policëve, ushtarakëve, mësuesve, mjekëve, të rinjve, grave dhe mërgatës shqiptare, duke i cilësuar si shtylla të funksionimit të shtetit.
Duke folur për vitin 2026, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova hyn në Vitin e Ri me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta. Ajo ka përmendur forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë, avancimin e pozitës ndërkombëtare, mbështetjen e familjeve dhe rinisë, si dhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve si objektiva kryesore të institucioneve të vendit në vitin që sapo ka nisur.
Nuk bohet shtet më shtupa halesh.