
Presidentja e Kosovës Vjosa Osman, ka pritur sot në një takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë ku Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces.
Osmani tha se zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe në veri të vendit duhet të mbahen pa humbur kohë dhe në përputhje me ligjet e vendit.
Ajo theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotësi. Osmani u shpreh se është e nevojshme heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës, pasi sipas saj krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.
Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Osmani ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, teksa shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, “të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”.
“Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, u tha në njoftim e Presidencës.
Kosova ka thënë se është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë shkarkohen përmes peticionit nga qytetarët me të drejtë vote.
Lini një Përgjigje