TAGS-AT E JAVËS

Kosova 8 Nëntor 2025, 22:34

Nga Prishtina në Prizren, balotazhi që vulos situatën politike në Kosovë!

Shkruar nga Pamfleti

Nga Prishtina në Prizren, balotazhi që vulos situatën politike

Balotazhi i 9 nëntorit shihet si sinjal për ecurinë e krizës qeveritare në Prishtinë. Nëse Vetëvendosja del sërish me rezultat të dobët, zgjedhjet e parakohshme parlamentare që priten në dhjetor mund të mos e zgjidhin ngërçin politik...

Kosova shkon të dielën drejt një tjetër prove elektorale, në një moment të ndjeshëm politik dhe institucional.

Qytetarët në 18 komuna do të votojnë për kryetarët e rinj të bashkive, në një balotazh që tejkalon përmasat lokale dhe shihet si test për zgjedhjet e pritshme parlamentare. Me vendin në prag të shpërndarjes së mundshme të Kuvendit dhe pamundësisë për të formuar një shumicë të re, zgjedhjet e 9 nëntorit janë kthyer në treguesin kryesor të forcës reale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të opozitës tradicionale.

Në rundin e parë të mbajtur më 12 tetor, Vetëvendosja pësoi një rënie të ndjeshme duke fituar vetëm 3 komuna: Podujevë, Kamenicë dhe Shtime. Partia e Albin Kurtit nuk arriti të triumfojë në asnjë nga qytetet e mëdha, ndërsa në 12 komuna të tjera shkon në balotazh si forcë e dytë. Humbjet në qendra të rëndësishme si Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica e Jugut kanë tronditur strukturat e partisë dhe kanë ngritur pyetje mbi ndikimin real të qeverisë pas tri vitesh pushtet.

Në Prishtinë, beteja është më simbolike se kurrë. Përparim Rama i LDK-së dhe Hajrulla Çeku i LVV-së ndahen nga vetëm 0.5 për qind votash në raundin e parë. PDK-ja, me kandidatin Uran Ismaili, nuk kaloi në balotazh, por vendimi i tij për qëndrim neutral ose përkrahje ndaj njërës palë mund të përcaktojë fituesin e kryeqytetit. Një humbje e Vetëvendosjes këtu do të interpretohej si një “votë ndëshkimi” për qeverinë, që prej muajsh akuzohet për ngecje në dialogun me Serbinë dhe për mungesë transparence në vendimmarrje.

Në Prizren, Gjakovë, Mitrovicë të Jugut dhe Vushtrri, gara është e hapur dhe rezultatet e ngushta mund të përmbysen nga koalicionet lokale. PDK-ja ruan pozitat në disa prej këtyre zonave, ndërsa LDK-ja po rikthehet si faktor i rëndësishëm në komunat tradicionale të saj. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt mban bastionin e Deçanit dhe kryeson në katër komuna të tjera, duke ruajtur ndikimin në rajonin e Dukagjinit.

Lista Serbe, nga ana tjetër, mbetet e konsoliduar në veri. Ajo fitoi 9 komuna me shumicë serbe që në raundin e parë dhe shkon në balotazh në Kllokot, e vetmja komunë serbe ku gara nuk u mbyll direkt. Kjo tregon se komunitetet serbe në veri vazhdojnë të votojnë në mënyrë blloku, duke ruajtur kontrollin lokal, ndërsa pjesëmarrja e ulët e shqiptarëve në ato zona mbetet një sfidë për autoritetet kosovare.

Në këtë panoramë të fragmentuar politike, balotazhi i 9 nëntorit shihet si sinjal për ecurinë e krizës qeveritare në Prishtinë. Nëse Vetëvendosja del sërish me rezultat të dobët, zgjedhjet e parakohshme parlamentare që priten në dhjetor mund të mos e zgjidhin ngërçin politik, por ta thellojnë më tej përçarjen midis institucioneve. Analistët në Prishtinë paralajmërojnë se një skenar i tillë do të çonte në bllokim të zgjatur dhe në vështirësi për krijimin e një shumice të re stabile. /Pamfleti

Lini një Përgjigje