
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, pas një takimi me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin, tha se ata kanë biseduar kryesisht për sigurinë e vendit.
Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se biseda ishte bërë me ftesë të presidentes e cila po takohet me përfaqësuesit opozitar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e diel në veri të Kosovës.
“Sulm i hapur terrorist”, kështu e quajti Haradinaj sulmin e ogranizatës kriminale ndaj policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, ndërsa tre të tjerë u plagosën.
“Kemi nevojë për aleatët, kemi nevojë për aleatët e sigurisë. Vetëm imagjinoni sikur atë ditë aty të mos ishte KFOR dhe ushtarët amerikanë. Kini parasysh se çdo qytetar i Kosovës që kryen shërbimin ndaj atdheu, e kanë detyrë por është për ne mjaft e mirëseardhur që kemi KFOR-in aty dhe Eulexin.
Duhet që politikisht ta ndihmojmë këtë bashkëpunim. Pra duhet të jetë bashkëpunimi politik mes institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë”, tha Ramush Haradinaj.
Lini një Përgjigje