TAGS-AT E JAVËS

Kosova 8 Janar 2024, 08:00

“Merreni një avokat, do të ju nevojitet”, avokati serb pyet Grenellin: Si e dije dy javë më parë që Sanduloviç do të arrestohej?

Shkruar nga Pamfleti
“Merreni një avokat, do të ju nevojitet”, avokati serb
Çedomir Stojkoviç dhe Grenell

Avokati serb Çedomir Stojkoviç, ka ngritur pikëpyetje për raportin e ish-emisarit të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Stojkoviç i cili njëherit është edhe avokat i politikanit opozitar serb që u rrah ditë më parë, Nikola Sanduloviq në një postim në “X” ka shkruar sesi ka mundur ta di Grenell javë më parë  Sanduloviç do të arrestohej.

“Do të isha i lumtur të zbuloja se si Richard Grenell e dinte dy javë më parë se Nikolla Sanduloviq do të arrestohej? Vërtetë, ai mori një medalje nga presidenti Alkesandar Vuçiq dy muaj më parë, në të njëjtën mënyrë që Aleksandar Vuçiç mori një medalje nga Vladimir Putin 5 vjet më parë…”, ka shkruar Stojkoviç në “X”.

Ai më tej ka pyetur ish-emisarin e SHBA-ve, Richard Grenell se a ishte në dijeni që Sanduloviç do të arrestohej pas homazheve te varrezat e familjes Jashari.

“A mund të më thoni zotri Grenell, a e dinit ju se zoti Sanduloviq do të arrestohej për vendosjen e luleve mbi varrin e Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare shqiptare të vrarë në vitin 1998? E pyes këtë sepse Aleksandër Vulin, agjenti i Putinit në Serbi, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, pretendoi dje se e kishte urdhëruar arrestimin dy muaj më parë. Pyes veten nëse bisedat konfidenciale të mia apo të dikujt tjetër ia keni përcjellë Aleksandar Vulin-it apo ai ju ka përcjellë falas informacionin se kë do të arrestojë Serbia ilegalisht? Ndoshta Vulin ju tha paraprakisht se do ta rrihnin dhe do t’i thyenin brinjët?”, ka shkruar tutje Stojkoviç.

Muaj më parë Richard Grenell dhe Nikola Sanduloviç kishin pasur një përplasje në “X”.

Sanduloviç i kishte reaguar Grenellit duke thënë se ai është një mercenar dhe është i blerë nga “krimineli i luftës, Aleksandar Vuçiç”.

“Ju Richard Grenell jeni një mercenar që është në anën e gabuar të historisë dhe vendit tuaj! Ju jeni blerë nga krimineli i luftës Aleksandar Vuçiç që la pas mijëra viktima të pafajshme të kombësisë shqiptare, kroate dhe boshnjake”, kishte shkruar Sanduloviç muaj më parë në “X”.

Pas kësaj erdhi reagimi i Grenellit i cili i tha “Merreni një avokat, do të ju nevojitet”.

Kujtojmë se politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviç është rrahur brutalisht ditë më parë në Serbi.

E gjithë kjo ndodhi një ditë pasi që Sanduloviç publikoi video duke bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku edhe kërkoi falje për krimet që ka kryer Serbia.

Kryetari i partisë Republikane të Serbisë, Sanduloviq raportohet se është rrahur brutalisht nga BIA serbe ndërsa ka marrë pjesë edhe Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari Listës Serbe dhe organizuesi i sulmit terrorist në Banjskë.

E bija e tij, Klara ka deklaruar se politikani është helmuar dhe ka ngritur dyshime se një gjë e tillë është bërë me agjentin nervor novichok, të cilën shpesh e përdor presidenti rus, Vladimir Putin për të eliminuar ish-bashkëpunëtoret apo kundërshtarit e tij. 

avokati serb sanduloviç

Lini një Përgjigje