TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Maj 2025, 11:23

Kosova nuk del nga ngërçi politik, dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

Kosova nuk del nga ngërçi politik, dështon sërish seanca

Përpjekja e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish këtë të martë. 

Në seancën e planifikuar për të formuar komisionin përgjegjës për organizimin e votimit të fshehtë, nuk u arrit numri i mjaftueshëm i deputetëve në sallë, çka e bëri të pamundur vijimin e procedurave, me kryesuesin e seancës që deklaroi pezullimin e punimeve.

Kriza institucionale në vend po thellohet, ndërsa mungesa e konsensusit politik vazhdon të pengojë funksionimin e Kuvendit dhe nisjen e legjislaturës së re.

Që nga 15 prilli, deputetët janë bllokuar në pikën e tretë të seancës konstituive – atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit. Teksa fillimisht nuk mund të bëhej shumica për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje, tash partia fituese e zgjedhjeve po kërkon votimin e një komisioni për të mbajtur votim të fshehtë.

Edhe kjo nuk po merr shumicën dhe seancat po mbahen çdo 48 orë, sipas Rregullores. Në 48 orët e fundit nuk është vënë re ndryshim qëndrimesh.

Madje kryetari i LVV-së, Albin Kurti, fajësoi partitë që deri tash ishin në opozitë për ngërçin politik. Ai ka thënë se zgjidhja është votimi i fshehtë, teksa për emrin e Haxhiut u shpreh se “nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje”

Lini një Përgjigje