
Qeveria e Kosovës nuk është tërhequr nga vendimi i pak kohëve më parë, duke i vënë drynin final “Klan Kosovës”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton se ka refuzuar ankesën “Klan Kosovës” për pezullimin e licencës së biznesit. Përkundër reagimeve masive vendore dhe ndërkombëtare, MINT konsideron se vendimin e ka vendosur në përputhje me ligjin kur ia ka pezulluar licencën mediumit.
“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”, thotë njoftimi.
Në njoftim thuhet gjithashtu se dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të “Klan Kosova” paraqisnin komunat e Kosovës si qytete të Serbisë dhe kjo thuhet se “përbën shkelje të Kushtetutës”.
“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas Ministrisë, përpjekjet e “KlanKosovës” për t’i korrigjuar këto shkelje, nuk kanë shkuar deri në fund.
“Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për ‘pronarët e vërtetë të subjektit’ KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si ‘Kosovo’, ndërsa shteti i vet ende si ‘Serbia’, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?”, thuhet aty.
Sipas një investigimi nga mediat e Kosovës, “Perandoria” e vëllezërve Devolli është ngritur fuqishëm dhe menjëherë që nga ardhja në pushtet e Partisë Demokratike të Kosovës në Vitin 2007. Pronësia e televizionit Klan Kosova në bazë të dokumenteve që ka siguruar “KosovaNews”, fillon nga një shtetas shqiptar kur është hapur në vitin 2008, blihet nga një shtetas i Kosovës në vitin 2013, pastaj i njëjti pronësinë e kalon në kompaninë e tij të hapur në Maqedoni ku është i regjistruar si shtetas i Serbisë. Pastaj shitet në vitin 2015 në parajsat fiskale në British Virgjin Island dhe përfundon përsëri në Maqedoninë Veriore në vitin 2021, ku edhe pronari aktual e ka të regjistruar në pronësi të kompanisë së tij të hapur me pasaportë serbe me adresë “Djakovica, Serbia” (srb. Gjakovë, “Serbi” sic.)!
Lini një Përgjigje