Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është mbledhur për të diskutuar për Kosovën.
Fjalën e para e mori Shefja e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, e cila tha se situata në veri të Kosovës është serioze, sidomos pas sulmit në Bansjkë të Zveçanit, më 24 shtator.
“Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa paqe dhe nuk ka paqe pa zhvillim të qëndrueshëm. “Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo.
Duke vënë në dukje se takimi i nivelit të lartë më 14 shtator në Bruksel nuk prodhoi konsensus, kreu i UNMIK-ut tha: “Kjo ishte një mundësi e humbur për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive drejt një programi për zbatimin e angazhimeve përkatëse të palëve sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”.
Ajo shprehu shpresën se rezultati i takimeve të udhëhequra nga BE-SHBA të mbajtura veçmas në Beograd dhe Prishtinë më 21 tetor do ta rikthejë dialogun në rrugën përpara, me angazhim të vendosur nga të dyja palët për të ndërmarrë hapa de-përshkallëzues dhe për të vepruar sipas propozimeve të paraqitura gjatë takimeve.
“Ngërçi aktual politik, me ndikimin e tij në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës, mund të tejkalohet vetëm përmes kompromisit që duhet të arrihet në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, vuri në dukje PSSP Ziadeh.
Kurse, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, në KS të OKB-së tha se situata në Kosovë është mjaftë e rëndë, sidomos në dy vjetët e fundit.
Ajo vuri theksin në vitin e fundit ku, sikundër u shpreh ajo, "situata është bërë aq e rëndë sa duhet bërë përpjekje për ta kuptuar jo vetëm si politikanë, por si qenie njerëzore".
“Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”, tha ajo.
Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiç akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Bërnabiç, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.
“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.
Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen.
Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.
“Ku të shkojmë nga këtu, së paku për të siguruar një grimë shprese për ata që jetojnë në Kosovë, së paku një grimë shprese që stabiliteti e paqja afatgjate janë në fakt të mundshme”, deklaroi Bërnabiç.
Bërnabiç kërkoi që të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, deri sa mohoi për ndërlidhjen e ngjarjes së Banjskës me qeverinë serbe. Ajo, kërkoi të mbahen zgjedhjen ne katër komunat në veri të Kosovës, sa më parë që është e mundur.
Në këtë takim ka shkuar presidentja Vjosa Osmani. Fjalën e saj ajo e filloi me të mbijetuarit e luftës në Kosovë, sidomos për viktimat e mijërave të dhunuarve gjatë luftës.
Viktimat e dhunës seksuale, sipas saj, zgjodhën jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të përpiqen të jetojnë. Kjo është historia e Kosovës.
Ajo ju drejtuar KS të OKB-së si një presidente e një vendi që ka humbur 13000 njerëz gjatë luftës në Kosovë, shumë të zhdukur dhe me vrasjen e fëmijëve që, në kokë banori, është më së shumti në çdo luftë në ish-Jugosllavi.
“Ne jemi ngritur nga zeroja për të ndërtuar jetën tonë, për ta ndërtuar një të ardhme ku të gjithë njerëzit, pavarësisht etninë e tyre, mund të jetojnë pa frikë, pa diskriminim”, tha ajo.
Presidentja më tej shprehu zotimin e shteti të Kosovës për të ecur përpara e jo për të shkuar prapa. Osmani ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë ishte akt i pastër agresioni i Serbisë ndaj Kosovës.
“Është vetëm një e vërtetë. Kosova ishte viktimë e aktit të agresionit nga Serbia. Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë, për ta penguar integrimin e tyre. Serbia do territorin e Kosovës, të cilin s’do ta marrë kurrë. Kosova është palë konstruktive në dialog, e lista e moszbatimit të marrëveshjeve të Serbisë është shumë e gjatë. Duam zbatim të plotë e të shpejtë të gjitha marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel në shkurt, dhe atë në mënyrë fer e të balancuar”, ka thënë Osmani.
Më tej deklaroi se Kosova kërkon përgjegjësi për sulmin, por Serbia vazhdon ta mohojë. “Serbia tregoi më 24 shtator se dëshiron luftë, por s’do t’ia ofrojmë këtë. Demokracia e liria gjithmonë ngadhënjejnë. S’ka asgjë që mund t’i qëndrojë para një vendi që e do lirinë. Njerëzit e Kosovës kurrë s’do të heqin dorë nga liria e vetë”, ka thënë Osmani.
Lini një Përgjigje