
Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, duke folur për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, ka shprehur shqetësim për krizën në Kosovë.
Sipas ministrit italian, gjendja nuk është në nivelin e Lindjes së Mesme, por ka potencial shpërthimi.
“Ekziston një front tjetër që më shqetëson, jo në të njëjtën masë si Lindja e Mesme, por që potencialisht mund të bëhet po aq shpërthyes sa ai,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, përpara komisioneve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Italisë, në një seancë dëgjimore mbi krizën mes Izraelit dhe Libanit, raporton HuffPost Italia.
Më 11 tetor italiani, gjenerali Enrico Barduani, do të marrë drejtimin e kontingjentit të KFOR-it me seli në Prishtinë, pikërisht në kohën kur vendi është përfshirë nga tensione në rritje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ka shkruar Politica.
Në këtë artikull, citohet edhe komandanti i KFOR-it Ozkan Ulutas, i cili ka thënë se gjendja është e mirë, por mbetet e brishtë.
Krerët e vendeve perëndimore vazhdimisht kanë theksuar rrezikun e hapjes së një fronti të ri lufte në Evropë, pas atij në Ukrainë.
Po ashtu, situata në Lindjen e Mesme e ka përkeqësuar paqen botërore.
Për situatën e brishtë Kosovë-Serbi, ka folur edhe kryeministri Albin Kurti këtë javë.
Kurti e quajti presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç një “Putin të vogël” që trazon rajonin.
“Serbia dhe Rusia bashkëpunojnë dhe tregtojnë armë. Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. Rusia është partneri i katërt më i madh tregtar i Serbisë pas Gjermanisë, Kinës dhe Italisë”, tha Kurti.
Por kryeministri i Kosovës tha se ka shumë besim në NATO për mbrojtjen e vendit të tij.
“Nuk mendoj se brezi ynë mund të mendojë për një ombrellë më të mirë sigurie për demokracinë dhe përparimin sesa Aleanca e Atlantikut të Veriut. Kështu që unë me të vërtetë dua të shoh NATO-n të forcohet në mbarë botën, por veçanërisht në Evropë. Dhe garancitë e sigurisë që na duhen duhet të jenë në kuadër të aktiviteteve të saj”, tha Kurti./ Pamfleti
Lini një Përgjigje