
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se vendimi për heqjen e dinarit serb duhej marrë kur Serbia u largua nga Kosova në vitin 1999.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca u shpreh se dinari ka qenë gjithmonë ilegal, por sipas tij ai është përdorur në forma të ndryshme prej institucioneve paralele.
“Dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur që të ndërpritet që kur Serbia është larguar nga Kosova, pas luftës çlirimtare dhe bombardimeve të NAT0-s në qershor të vitit 1999. Por, prej vitit 2011 askush nuk ka dyshim që edhe me vet-rregullimin institucional të Republikës së Kosovës dhe me rregulloren e ligjet tona, dinari ka qenë gjithmonë ilegal, tjetër gjë që pastaj në forma dhe mënyra të ndryshme është shfrytëzuar dhe është përdorur prej institucioneve paralele që i ka pasur Serbia këtu në Republikën e Kosovës dhe që i ka keqpërdorur ato”, tha Konjufca.
Ai tha gjithashtu se vendimi për ndalimin e dinarit ka qenë i BQK-së dhe se ndërhyrja në vendime të institucioneve të pavarura do të ishte e dëmshme për rendin kushtetues të Kosovës.
I pytetur lidhur me shqetësimet e ShBA-së për vendimin, Konjufca tha se ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i ka shprehur shqetësimet se mund të ketë trazira në veri të vendit, por që sipas tij, të gjithë ata që tentojnë t’i keqpërdorin vendimet e ligjshme do të përballen me sundim të ligjit.
Lini një Përgjigje