
Dështimi i tryezës së dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, mund të shoqërohet me masa të reja ndëshkimore si ndaj Prishtinës, ashtu edhe ndaj Beogradit. Kjo u paralajmërua nga zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano.
“Nëse ndonjë anëtar i BE-së nuk sheh hapa për shtensionim, mund të futen masa shtesë për Kosovën, por edhe për palën tjetër. Ky është një proces që anëtarët po e ndjekin, nuk janë të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve. Ata kishin pritshmëri të ndryshme dhe nëse situata vazhdon të zhvillohet kështu, do të sjellë përgjigje më specifike”, tha Stano.
Sipas tij, i dërguari special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka nisur t’i informojë shtetet anëtare për takimin e 14 Shtatorit, dhe pas analizës, shtetet anëtare do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas.
Të zhgënjyer nga mungesa e përparimit të dialogut janë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm”, tha ai.
Lini një Përgjigje