
Avokati serb, Çedomir Stojkoviç është ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare Tabanoc, gjatë kthimit për në Serbi.
Stojkoviç ishte ditën e djeshme në kompleksin memorial në Prekaz, ku dhe vendosi lule mbi varrin e Blerina Jasharit, 7-vjeçares që u vra nga forcat ushtarake serbe gjatë sulmit mbi familjen Jashari në mars të vitit 1998.
Agim Musliu, drejtor i Institutit” Octopus” njofton në profilin e tij në “X” se avokati Stojkoviç po merret në pyetje nga agjentët e BIA-s.
“Çedomir Stojkoviç ndalohet në kufirin e Tabanocit nga policia serbe! Sekuestrohet pasaporta, përballë marrjes në pyetje nga agjentët e BIA-s”, shkruan Musliu.
Stojkoviç më herët njoftoi se do të udhëtonte për në Beograd dhe se nuk frikësohet pasi sipas tij, është obligim të bëjë atë që është e drejtë dhe e duhur.
“Nesër do të shkoj në Beograd dhe nuk kam arsye të frikësohem. Ne e kemi për obligim të bëjmë se çka është e drejtë dhe çka është e duhur”, shkruante ai.
Kjo vizitë e avokatit serb është paralajmëruar disa ditë më parë dhe është kundërpërgjigje ndaj politikës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Disa javë më parë, klienti i tij opozitari serb, Nikola Sanduloviç, u arrestua nga shërbimi sekret serb BIA, pasi kreu homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Lini një Përgjigje