Sot do të mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës seanca e radhës gjyqësore në çështjen “Banjska”. Procedura penale është veçuar vetëm për tre të akuzuarit që ndodhen në paraburgim: Bagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç.
Gjykata Themelore në Prishtinë, pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë.
Por, Gjykata Supreme, sqaroi se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza për këtë rast është ngritur më 11 shtator 2024 dhe ka të bëjë me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë atë me Serbinë.
Si pasojë e këtij sulmi, është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të tjerë policorë dhe të popullatës civile.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e para të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Të vrarë kishin mbetur edhe tre nga sulmuesit, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.
Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.
Lini një Përgjigje