FBI ka dërguar zyrtarisht në Kosovë një agjent special dhe një analist të inteligjencës për të punuar drejtpërdrejt me Policinë e Kosovës. Kjo lëvizje vjen si pjesë e një plani të gjerë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe luftën kundër krimit të organizuar e kërcënimeve të sigurisë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, priti në Prishtinë atasheun ligjor të FBI-së, Brendan Collins, dhe atasheun e Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, Kimberly Riffe. Gjatë takimit, dy përfaqësuesit amerikanë prezantuan zyrtarisht agjentin special dhe analistin e FBI-së që do të veprojnë përkrah zyrtarëve kosovarë në terren.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, qëllimi i këtij angazhimi është forcimi i partneritetit strategjik dhe rritja e kapaciteteve hetimore, veçanërisht në fushën e inteligjencës dhe ndjekjes penale. Palët konfirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve.
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, ku sfidat e sigurisë, rreziqet kibernetike dhe aktivitetet e grupeve kriminale kërkojnë ndërhyrje të përbashkëta dhe teknologji të avancuar hetimore. Angazhimi i FBI-së në terren pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e operacioneve dhe ndjekjes së grupeve të rrezikshme.
“Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së SHBA-së Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, në Prishtinë priti në një takim zyrtar Atasheun Ligjor të FBI-së, z. Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), znj. Kimberly Riffe.
Gjatë këtij takimi, atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të intelligences të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.
Takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.
Policia e Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë së SHBA-së, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si shembull të shkëlqyer të partneritetit profesional dhe strategjik në shërbim të sigurisë së qytetarëve”, njofton policia.
Lini një Përgjigje