
Nis seanca në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku do të diskutohet dhe shqyrtohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim.
Kosova pret që Asambleja Parlamentare ta japë dritën gjelbër sot, ndërsa votimit do t’i paraprijë një diskutim dinamik.
Deputetët kosovarë Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci do të jenë anëtarët e delegacionit të Kosovës që do të flasin në Amablenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ndërsa nga Shqipëria, janë katër përfaqësues që do ta marrin fjalën: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj.
Në listë janë gjithsej 59 përfaqësues nga shtete të ndryshme që do të flasin, ndër të cilët 6 serbë.
Dora Bakoyannis, e cila ka përgatitur raportin, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit teksa shtoi se pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale.
Dora Bakoyannis i bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë raportin e saj, në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në KiE-së.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Bakojannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare.
Bakojannis foli edhe për komente agresive për raportin, shumicën e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo bën thirrje se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.
“Ata refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës, e jo vetëm respektimin e kushteve”, tha Bakoyannis.
Në fillim, në emër të grupeve politike do të flasin Iulian Bulai nga Rumania, Alexis Tsipras nga Greqia, Frank Schwabe nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zsolt Nemeth nga Hungaria.
Më herët, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.
Nëse Asambleja Parlamentare e jep dritën e gjelbër sot, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.
Delegacioni i Kosovës në Strasburg është optimist se janë siguruar votat e nevojshme për ta kaluar edhe këtë rund në procesin e anëtarësimit.
Lini një Përgjigje