
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi është shprehur se kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për kreun e bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi duhet të kapërcejë gardhin e “foltores” dhe të ketë një projeksion politik.
I ftuar në “A2 CNN” Shehi tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës është shpresa e ndryshimit për gjëra politike në Shqipëri, teksa këshilloi Këlliçin që të marrë përsipër më shumë dhe të shkëputet nga kasta e vjetër politike.
“Zotëria që ka dalë për Tiranë i mbush kushtet por duhet të kapërcejë gardhin e foltores, duhet të dalë nga bashkësia që e ka zgjedhur, dhe duhet të ketë një projeksion politik. Por ai që nuk inspiron një proces politik dhe nuk është projeksion politik për zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është drejtori, por shpresa e ndryshimit për gjëra politike në Shqipëri. Shtegu është i ngushtë, por nuk kemi shteg tjetër. Është djalë i ri që e kam për zemër, por politika është gjë publike dhe bëhet në publik. Unë besoj në këtë që them haptazi është një ofertë politike një projekt politik që nëse e përqafon e ndihmon”, tha ai.
Ndërsa sa i takon deklaratave të Këlliçit për transport falas, Shehi tha se është diçka e arritshme por shtoi se gjëja e parë që duhet bërë për kryeqytetin është rritja e shpejtësisë së mjeteve publike që zhbllokon trafikun.
“Ky zotëria që tha transport falas e kanë shumë vende, mënyra sesi e tha mund të jetë e gabuar por procesi duhet kapur ndryshe. Problemi kryesor në Tiranë është që autobusi nuk po shërben më, se ecën me 10 km orë. Puna e parë është të rritet shpejtësia e qarkullimit të mjeteve publike në Tiranë, e pengojnë rrugët, trafiku. Duhet të bëjmë vepra publike të shpërndajmë parkingje. E gjithë qendra duhej rrethuar me parkingje. Të subvenciononim studentët, pensionistët, por duhet ta fillojmë nga bllokimi në trafik, ndotja e qytetit. Në qendër të qytetit nuk mund të kalojë trafiku kryesor. Ka shumë tema për t’u bërë për qytetin, por qytetet kryesore kanë edhe një detyrë tjetër duhet të prodhojnë një të ardhme e shpresë”, tha Shehi.
Lini një Përgjigje