Kanë mbërritur në Shqipëri kamionët me fletët e votimit për diasporën, të cilat u printuan në Slloveni, ndërsa vijon puna për fletët e votimit që do të përdoren për zgjedhësit që jetojnë brenda vendit.
Fletët e votimit për votuesit jashtë vendit janë vendosur në parkun Olimpik ndërsa mbushja e zarfeve pritet të nisë të mërkurën. Dërgimi parashikohet të përfundojë më 17 Prill dhe iu mbërrin emigrantëve për 1-3 ditë.
Në një konferencë për mediat më 2 Prill, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi dha disa detaje rreth këtij procesi, teksa njoftoi se është shtuar numri i emigrantëve që kanë të drejtën e votës në 11 Maj.
“Midis datave 7 dhe 8, po ti kemi këtu fletët e votimit, numri përfundimtar i votuesve nga jashtë në listë është 245 mijë e 935”, është shprehur Ilirjan Celibashi.
Kryekomisioneri dha afatin se kur do të përfundojë procesi i dërgimit të tyre në 85 shtete të botës.
“Midis datës 8, 9 dhe 10, do fillojmë përgatitjen e zarfave dhe gjithë dokumentacionit tjetër i cili do t’u dërgohet votuesve jashtë vendit. Gjithë ky proces të realizohet brenda dates 15 ose 17 Prill”, tha kryekomisioneri Celibashi.
Sa i përket faktit që postieri do duhet t’ja dorëzojë personalisht çdo zgjedhësi zarfin me fletën e votimit, Celibashi tha se nuk ka asnjë mundësi që ky rregull të ndryshojë.
“Do të duhet që operatori i shërbimit postar dhe kjo është e panegociueshme, t’ia dorëzojë individit në dorë fletën e votimit le të themi dhe asnjërit prej familjarëve apo bashkëjetuesve të tjerë me të”, përfundoi Celibashi.
I gjithë procesi i prodhimit, dërgimit dhe më pas kthimit të fletëve të votimit nga diaspora ka kushtuar 9.2 milionë Euro.
Lini një Përgjigje