Zbardhet agjenda e turit rajonal të kryeministrit Rama. Pasi u tërhoq në mënyrë të mistershme nga “Ballkani i Hapur”, Rama ka vendosur të zhvillojë takime në Beograd, Sarajevë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë. Nuk dihet ende se cili është në të vërtetë qëllimi i këtij turi. Rama pretendon se po e bën në kuadër të Procesit të Berlinit, por dyshimet janë se ai po tenton të negociojë mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për të mos rënë në sy ka vendosur të shkojë dhe te shtetet e tjera.
Rama doli me një draft për Asociacionin, po ashtu propozoi një konferencë ndërkombëtare për kizën në veri. Kjo nuk u pranua nga Kurti dhe madje i acaroi marrëdhëniet mes dy vendeve. Si duket Rama, po tenton të tregojë sërish se është ai “lideri rajonal”. Mirëpo i ka ngecur sharra në gozhdë, pasi Albin Kurti nuk ka pranuar të takojë.
Kryeministri i Kosovës deklaroi sot se do e presë në takim Ramën vetëm nëse bien dakord të mbajnë mbledhjen mes dy qeverive të anuluar pak javë më parë. Por si duket palët nuk kanë gjetur akordin, pasi është vendosur zyrtarisht se Rama e Kurti nuk do kenë takim në Kosovë, ndonëse kryeministri shqiptar do të qëndrojë atje 2 ditë. Mësohet se ai do të pritet vetëm nga presidentja Osmani dhe nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca. Po ashtu pritet të ketë takime dhe me zyrtarë të opozitës. Ndërkohë deputetët e VV dhe Kurtit nuk kanë pranuar ta takojnë.
Sipas axhendës zyrtare, Rama nesër e nis turin me Maqedoninë e Veriut dhe më pas do të shkojë në Kosovë. Ndërsa të premten do të jetë në Mal të Zi, Serbi dhe Sarajevë.
Qeveria ka thënë se takimet do të jenë në kuadër të Procesit të Berlinit, proces që deri dje nuk i interesonte Ramës. Ai këmbëngulte te Ballkani i Hapur, por ndodhi një lëvizje e mistershme në prapaskenë dhe ai u tërhoq. Tani ka marrë flamurin e Procesit të Berlinit dhe kërkon të bashkojë Ballkanin. Por absurdi është se do takojë dhe darkojë me Aleksandër Vuçiçin e Serbisë, por jo me homologun e Kosovës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje