Kur kanë mbetur vetëm 10 ditë para se Apeli të caktojë kujt i përket vula e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se me 3 mars do të flasë ligji. Teksa u shpreh i bindur se gjykata do i japë atij të drejtë, Alibeaj i ka bërë thirrje Sali Berishës ta njohë vendimin.
“Më 3 mars flet ligji dhe ne jemi të bindur se kujt i përket e drejta e vulës dhe siglës. Unë palës tjetër i them që të respektojë vendimin dhe këtë gjë do bëj edhe unë”, tha Alibeaj.
Alibeaj e sheh të pamundur largimin e Edi Ramës me protestat e Sali Berishës.
“Revolucioni i vërtetë nuk orkestrohet nga lart, besimi duhet të lindë nga njerëzit, duket të ndodhë në mendjen e çdo shqiptari, pa dallim orientimi, të majtë apo të djathtë. Njerëzit mblidhen në mënyrë spontane, jo me orkestrim politik që nuk sjell asnjë gjë të re. Edi Rama nuk ikën po i the ik”, vijoi ai.
Demokratët e kampit të Berishës, i sfidon edhe për betejën që po bëjnë mes zhurmës dhe bllokimit të foltores në parlament.
“Kush nga palët në Parlament që bëjnë zhurmë të madhe guxon të përmend një oligark? Ata që i presin në paradhomë, që ulen me ta? Kush e ka bërë luftën kundër inceneratorëve, kush e ka bërë luftën kundër investitorëve strategjikë, hapjen e dosjeve e akuzohemi edhe sit ë shitur, ne jemi të shitur? Kjo kërkon kurajo të fortë”, tha kreu i grupit parlamentar të PD.
Sali Berishën e ‘shigjetoi’ edhe për luftën ndaj ambasadorëve në Tiranë duke thënë se PD nuk mund të shndërrohet në një forcë armike me Perëndimin
“Nuk mund të jetë PD, me tytat drejtuar nga perëndimi. Kemi detyrime të mëdha ndaj Perëndimit, nuk mund ta asgjësojmë, nuk mund ta iluminojmë”, tha ndër të tjera Alibeaj.
Duke u ndalur në zgjedhjet lokale, Alibeaj tha se kandidat, do të nxjerrë edhe përballë Erion Veliajt e Belind Këlliçit në Tiranë.
Lini një Përgjigje