
Palët përfaqësuese të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës kanë mbërritur në Gjykatë për t’u njohur me vendimin e Apelit për vulën e Partisë Demokratike.
Të dyja palët ndodhen në sallën e pritjes, por mësohet se nuk kanë komunikuar me njëri-tjetrit.
Të pranishëm nga PD e Rithemelimit janë Gazment Bardhi, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Albana Vokshi, Luciano Boci, Luan Baci dhe Elda Hoti. Ndërsa përfaqësues ligjor janë Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso.
Grupi i Bashës përfaqësohet nga anëtari i Kryesisë Endri Hasa, ndërsa avokatë janë Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi.
Gjykimi për vulën
Çështja për vulën e PD u gjykua në dhjetor të 2023-it në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi ta rikthejë çështjen në Apel. Në vendimin e marsit 2024, Gjykata e Lartë kërkon një gjykim themeli, me një tjetër trupë gjykuese, nga ajo që kishte shqyrtuar njëherë këtë çështjes.
Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, gjykata thekson se rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar.
“Në këtë kuvend është pretenduar se një nga vendimet e marra prej tij është edhe vendimi për shkarkimin nga detyra të kryetarit të PDSH, z.Lulzim Basha, i cili ka si funksion përfaqësimin e subjektit PDSH te të tretët. Megjithatë, pavarësisht se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, ankimi ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi nga kryetari i PDSH Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti Enkelejd Alibeaj.
“Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se z.Lulzim Basha vijon të jetë kryetar i PDSH, duke e kufizuar arsyetimin e saj ligjor në faktin se kërkesa për heqje dorë nga funksioni i kryetarit të PDSH nga ana e z.Lulzim Basha nuk është formalizuar me shkrim, si dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike”, citohet vendimi i Gjykatës së Lartë.
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka në favorin e tij një vendim të dhënë nga gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri, i cili njohu Rithemelimin dhe Kuvendin e zhvilluar më 11 dhjetor 2021, në kulmin e përplasjeve mes Berishës, të cilin Lulzim Basha me një vendim të 9 shtatorit të të njëjtit vit e përjashtoi nga grupi parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi i Zhukrit u apelua në atë kohë nga grupimi i Lulzim Bashës, ndërsa çështja për vite mbeti sirtarëve të gjykatave. Nuk dihet se çfarë vendimi mund të marrë nesër Apeli, apo edhe sa kohë duhet që kjo çështjes të marrë një zgjidhje ligjore, por nga grupimi i Berishës janë dhënë sinjalet që çështjen do e dërgojnë në Strasburg.
Prej kohësh grupimi i Berishës akuzon se drejtësinë e kontrollon Kryeministri. Dhe në vijim të akuzave, aludohet se Kryeministri me ndikimin e tij në drejtësi, do të favorizojë Lulzim Bashën, duke i dhënë vulën. Në kushte të tilla duket se është përgatitur terreni edhe nëse vendimi shkon në favor të Bashës dhe grupimit të tij, ndërsa është paralajmëruar se beteja do të vijojë në Gjykatat Ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje