TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Maj 2023, 07:11

Vijon numërimi i votave/ PS prin në 54 bashki, “Bashkë Fitojmë” në 6 qytete; Beleri merr Himarën

Shkruar nga Pamfleti

Vijon numërimi i votave/ PS prin në 54 bashki, “Bashkë

Partia Socialiste ka korrur fitore të thellë në zgjedhjet vendore, të paktën sipas rezultateve të publikuara deri më tani.

Numërimi ka ecur në pjesën më të madhe të bashkive dhe PS është duke udhëhequr në 53 bashki, ndërsa opozita është fituese në vetëm 6 bashki. Duhet theksuar se në Finiq u fitua nga partia MEGA.  “Bashkë Fitojmë” udhëheq garën në Has, Fushë-Arrëz, Pukë, Mirditë, Himarë dhe Memaliaj. Në Kuçovë kandidatët janë kokë më kokë.

Numërimi është mbyllur në 22 bashki dhe PS ka fituar 18 bashki.  PS ka triumfuar në Kamëz, Vorë, Elbasan, Pustec, Kolonjë, Librazhd, Dropull, Tropojë, Roskovec, Peqin, Përmet, Bulqizë, Sarandë, Lushnje, Delvinë dhe Libohovë Delvinë. Ndërsa “Bashkë Fitojmë” në 4 bashki Pukë, Has, Memaliaj dhe Himarë.

Surpriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve është Shkodra. Benet Beci udhëheq me mbi 5 mijë vota diferencë duke shkuar kështu historinë. Ndërkohë po ashtu një rezultat i beftë erdhi nga Himara.  Fredi Beleri i opozitës është shpallur fitues përballë Jorgo Goros së PS. Fredi Beleri u arrestua për blerje votash, mirëpo ky arrestim duket se ka ndryshuar balancën. Sapo u mbyll kutia e fundit e numërimit dhe Beleri u shpall fitues.

Në Tiranë udhëheq Erion Veliaj me mbi 54 për qind të votave. Më pas ndiqet nga Belind Këlliçi dhe Arlind Qori. Roland Bejko i PD është i katërti.

Vijon numërimi i votave/ PS prin në 54 bashki, “Bashkë
Harta e rezultateve zgjedhore

QARKU VLORE

Në Bashkinë Vlorë janë hapur 189 kuti dhe kandidati socialist Ermal Dredha kryeson me një përqindje mbi 70.573% përballë rivalit të tij të ‘BF’ Hysni Sharra, i cili ka marrë vetëm 29.43%.

Në Bashkinë Himarës FITOI Fredi Beleri.

Në Selenicë janë numëruar kutitë dhe kryeson me 5200 vota socialisti Nertil Ballaj ndërkohë që rivali i tij i BF Leonard Rakipaj merr vetëm 3500 vota.

Në Bashkinë Sarandë janë 4 kandidatë. Deri tani janë numëruar 32 nga 52 kuti dhe kryeson Oltion Çaçi i PS me 50.73%. I dyti është Ardit Çikuli i BF me 34.64%. Ndërsa kandidatët e tjerë janë respektivisht i pavaruri Gjergji Mërkuri me 10.36% dhe kandidati i PD me 4.27%.

Në Bashkinë Finiq janë numëruar 32 nga 50 kuti. Romeo Çakuli i partisë minoritare MEGA me 41.18% është i pari, i ndjekur nga kandidati i BF Leonidha Hristo me 29,48%. Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Leonidha Papa merr 29.355% të votave. 

Në Bashkinë Delvinë janë numëruar 21 nga 22 kuti dhe kandidati i mazhorancës Besmir Veli është zyrtarisht fitues me 62.61%, përballë kandidatit të BF Ilir Mehmeti me 37.39%.

Në Bashkinë Konispol kryeson kandidati i PS Erges Dule me 52.70%, i cili mund kështu kandidatin e Bashkë Fitojmë Fatmir Shero me 47.30%.

QARKU BERAT

Kandidati i Partisë Socialiste, kryebashkiaku aktual Ervin Demo udhëheq bindshëm me 63.15 % të votave ndërkohë që rivali i Bashkë Fitojmë Zija Ismaili është 36.85%.

Në Bashkinë Poliçan votimi ka ecur me shpejtësi dhe deri më tani janë numëruar 20 nga 22 qendra votimi. Sipas rezultateve kandidati i PS, Adriatik Zotkaj ka marrë deri më tani 78.4% të votave. kandidati i PD, Florian Qama, ka marrë rreth 12% të votave ndërsa i fundit është kandidati i Bashkë Fitojmë, Behar Xhaferraj me 9.6%.

Në Kuçovë gara është shumë e fortë. Kreshnik Hajdari nga PS kryeson me 99 vota nga Lefter Maliqi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Ndërkohë, PD-ja zyrtare nuk numëron më shumë se 400 vota.  

Në Bashkinë Dimal Teksa janë numëruar 25 nga 49 kuti Juliana Memaj e PS kryeson me 48.54 % të votave teksa dy kandidatët e tjerë ndajnë gjysmën tjetër të votave. Dritan Sula i PD me 35.33 % dhe Gentian Meçi i BF me 16.13 %.

Në Bashkinë Skrapar janë numëruar 15 nga 23 qendra votimi dhe PS po shkon drejt fitores me kandidatin e saj Adriatik Mema i cili merr 57.4% të votave përkundrejt 42.58% të votave të rivalit të tij, kandidati të BF Euglen Mustafallari.

QARKU KORÇE

Në Bashkinë e Pustecit, Partia Socialiste ka arritur ta marrë fitoren. Sipas rezultateve kandidati i PS, Pali Kolefski ka marrë rreth 64%, ndërsa kandidati i PD, Pandi Jani 36%.

Ndërkohë që në Bashkinë e Devollit janë numëruar 36 kuti nga 49, ku kandidati i PS Eduard Duro kryeson me 52.77% të votave, ndërsa Elvis Hajdërlli i BF me 46.64% të votave.

Në Bashkinë e Kolonjës ka fituar Erion Isaj me 64% të votave.

Në Bashkinë e Pogradec janë numëruar 36 kuti nga 106 dhe kryeson kandidati socialit Ilir Xhakolli me 65.67% të votave, ndërsa rivali i tij Zini Tollozhina me vetëm 32.30%.

Në Bashkinë e Korçës janë numëruar deri më tani 108 qendra votimi nga 158 gjithsej. Kryeson Sotiraq Filo me 60.66% të votave përkundrejt 39.34% të kandidates së Bashkë Fitojmë, Ledina Alolli.

Edhe Bashkinë e Maliqit kryeson kandidati socialist Gezim Topçiu i cili merr një tjetër mandat sipas këtij rezultati. Ai merr 67.34% të votave kur janë numëruar vetëm 43 kuti nga 76. Kandidati i BF, Alfred Gega, merr 31.66% të votave.

QARKU DIBËR

Në Bashkinë Dibër, kandidati socialist Rrahim Spahiu i PS ka marrë 7485 vota,  kandidati i PD 642 vota, ndërsa “Bashkë Fitojmë” 2759 vota duke dalë forcë e tretë.

Në Mat, Agron Malaj ka marrë 7048 vota krahasuar me Skënder Gjuzin i cili ka marrë 3665 vota.

E njëjta panoramë ofrohet edhe në Bulqizë. Socialistja Festime Mjeshtri ka marrë 7209 vota, një diferencë prej më shumë se 2000 votash nga Defrim Fiku.

Në Klos kanë mbetur edhe 3 kuti pa numëruar dhe kryeson Valbona Koka e PS me 55.61% krahasuar me 44.39% nga Bedri Hoxha.

QARKU FIER

Në Bashkinë e Fierit Armando Subashi merr 69.73 % të votave, Kur janë numëruar 116 nga 224 qendra votimi rreth 30% e votave ndahen mes dy kandidatëve të së djathtës, me kandidatin e Berishës, Evdar Kodheli që merr 19.16% të votave dhe që lë mbrapa kandidaten e Alibeajt, Eriselda Çelaj me 11.11 % të votave.

Në Lushnjë, nga 156 kuti në total, deri më tani janë numëruar 121 dhe sipas rezultateve kandidatja e PS, Eriselda Sefa merr 62.95 % të votave. Ndërkohë kandidati i Bashkë Fitojmë, Eduart Sharka 37.05%.

Në Mallakastër, kur janë numëruar 23 nga 50 kuti kandidati i PS Qerim Ismailaj kryeson me 51.03 % të votave përkundrejt 42.65 % të rivalit kryesor Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike. Ndërkohë që kandidati i koalicionit Berisha-Meta Resmi Shanaj merr vetëm 6.31 %.

QARKU SHKODËR

Në Shkodër Benet Beci prin me 27305 vota, një diference me gati 500 votash nga Bardh Spahia. Në Malësinë e Madhe, Tonin Marina prin me gati 1000 vota diferencë. Më konkretisht ai numëron 3193 vota në krahasim me kundërshtarin e tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Isa Ramaj. Ai numëron 2187 vota.

Puka është një ndër Bashkitë që ia ka dalë “Bashkë Fitojmë” të fitojë me kandidatin Rrok Dodaj. Ai numëron 3480 vota e ndërsa Gjon Gjonaj i socialistëve ka 2507 vota.

Në Vaun e Dejës ka fituar Kristian Shkreli i PS. Ai ka arritur që të shkëputet thellë nga 2 kundërshtarët e tij, Klomentina Drini e PD-së zyrtare dhe Zef Hila nga “Bashkë Fitojmë”. Të dy bashkë kanë arritur të mbledhin 2821 vota e ndërsa Shkreli 3587.

QARKU DURRËS

Në Durrës kandidatja socialiste Emirjana Sako kryeson me 56.85% të votave përkundrejt 43.15% të votave të rivalit të saj  Igli Cara, kandidat i ‘Bashkë Fitojmë’. Diferenca mes tyre është mbi 4300 vota.

Në Bashkinë e Shijakut janë numëruar 24 nga 54 kuti dhe deri më tani kryeson kandidati socialist Elton Arbana me 70.35% të votave. Ndërsa rivali i tij i BF Rezart Tusha është në kuotat e 29.65%.

Në Bashkinë e Krujës ku garojnë socialisti Artur Bushi dhe kandidati i Bashkë Fitojmë Agron Loka janë numëruar deri tani 30 kuti nga 92 që janë gjithsej. Bushi i PS kryeson bindshëm me 63.74% ndërsa Loka me 36.26%.

QARKU TIRANË

Partia Socialiste ka fituar thellë në Kamëz, me Rakip Sulin që ka marrë 60.36 për qind të votave.

Edhe në Vorë fitoi Blerim Shera, i cili ka marrë 73.5 %të votave.

Në Bashkinë Tiranës udhëheq Veliaj. Pas tij vijnë Këlliçi, Arlind Qori dhe Roland Bejko.

QARKU LEZHE

Në Bashkinë e Lezhës janë numëruar 106 nga 126 kuti votimi në total dhe kryeson kandidati i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu me 53.36 % të votave, ndërkohë që kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Pashk Gjoni ndjek me rezultat të ngushtë me 46.64 % të votave.

Në Mirditë ka përfunduar numërimi i 48 kutive. Kandidati i 'Bashkë Fitojmë' Albert Mëlyshi' ka fituar me 55.19 % të votave. Ndërsa Ndrec Dedaj i Partisë Socialiste ka marrë 44.81 %.

Nga Bashkia e Kurbinit janë numëruar 17 nga 74 kuti kryeson kandidatja socialiste, kryebashkiakja aktuale, Maljinda Cara me 55.93% të votave përkundrejt 44.07% të kandidatit të opozitës Behar Haxhiu.

zgjedhjet vendore

Lini një Përgjigje