
Deputeti Dashnor Sula ka zyrtarizuar largimin nga Partia Demokratike, duke u rreshtuar në krah të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, që drejtohet nga Adriatik Lapaj.
Sula ka bërë reagimin e parë publik mëngjesin e sotëm duke thënë se do të përfaqësojë Elbasanin nën siglën e ‘Shqipëria Bëhet’.
"Nuk ishte zgjedhja ime të largohem nga Partia Demokratike. I kam dhënë 20 vite kësaj partie, pa kërkuar asnjë përfitim. Por nuk mund të lejoja që kontributi im të hidhej në koshin e plehrave vetëm pse mbështes reformën në drejtësi”, u shpreh Sula në reagimin e tij.
Ai falënderoi Adriatik Lapajn, Endri Shabanin dhe Pano Sokon për ftesën që i është bërë, duke theksuar se Shqipëria bëhet vetëm me njerëz të rinj.
Sula u shpreh se mbështetja e tij për institucionet e drejtësisë do të vijojë edhe në Parlamentin e ardhshëm, duke u vetëquajtur sërish si “SPAK-ist”.
"Të dashur miq,
Jam i lumtur t’u njoftoj se demokratët e Elbasanit do ti përfaqësoj në Parlamentin e ardhshëm nën siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
U jam shumë mirënjohës Adriatik Lapaj, Endri Shabani dhe Pano Soko, këtyre djemve të rinj dhe të papërfolur, që më ftuan të kandidoj në zgjedhjet e 11 majit. Unë i falenderoj dhe shpreh mirënjohje edhe për drejtuesit e forcave te tjera politike që për etikë nuk po i përmend që më ftuan të bashkohesha në ekipin e tyre pas medalies që më dhanë si “SPAKIST”. Mendoj se Shqipëria Bëhet dhe bëhet vetëm me djem të rinj.
Nga sot, do të nis takimet me përkrahësit e mi, të cilët edhe në një ditë shumë të vështirë si ajo e djeshmja, më qëndruan pranë dhe më mbështetën.
U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që nuk kam arritur tu përgjigjem, ju falenderoj përzermërsisht për fjalët.
Ma besoni, nuk ishte zgjedhja ime të largohesha nga Partia Demokratike. I kam dhënë asaj partie 20 vite të jetës sime politike, pa i kërkuar asnjë ofiq në kohën kur ishte në pushtet.
Kam sakrifikuar kohën time, i kam hyrë në hak familjes sime dhe fëmijëve të mi, për të punuar cdo ditë për PD-në, por nuk mund të lejoja që kontributi im të hidhej në koshin e plehrave vetëm se kam shprehur mbështetjen time të palëkundur për institucionet e reformës në Drejtësi. Po e them që tani, SPAK-ist do të jem edhe në Parlamentin e ardhshëm sepse besoj që po i bën vendit një shërbim që kjo klasë politike nuk ka arritur tia bëjë në 35 vite.
Na priftë e mbara deri në 11 Maj", shkruan Sula.
Lini një Përgjigje