
Konklava nisi me ritin e shenjtë dhe betimin e fshehtësisë; 133 kardinalë do të vendosin për fatin e Kishës Katolike dhe ndikimin e saj në rendin global...
Me vdekjen e Papës Frangj (Françeskut), Selia e Shenjtë ka hyrë në një nga momentet më vendimtare të historisë së saj moderne. Sot, në Vatikan, nisi zyrtarisht konklava që do të përcaktojë udhëheqësin e ardhshëm të mbi 1.3 miliardë katolikëve në botë.
Procesi nisi në orën 10:00 të paradites me meshën e posaçme "Pro Eligendo Romano Pontifice" të mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, të udhëhequr nga Kardinali Giovanni Re. Predikimi i tij i drejtohej jo vetëm klerikëve, por gjithë botës katolike, duke artikuluar sfidat e reja që Kisha duhet të përballojë në epokën pas-Frangj.

Pas një pauze reflektimi dhe dreke, 133 kardinalë u drejtuan nga Kapela Sistine në orën 16:30, duke ndjekur ritualin solemn dhe duke betuar për ruajtjen e fshehtësisë absolute të procesit zgjedhor. Çasti kulmor ishte mbyllja e dyerve me formulën tradicionale "Extra Omnes" – të gjithë të tjerët jashtë.
Tashmë gjithçka varet nga tymi që do të dalë nga oxhaku i kapelës. Tym i bardhë do të thotë: Habemus Papam – kemi Papë! Tym i zi do të thotë: ende jo.
Konklava e vitit 2025 karakterizohet nga polarizim i thellë brenda Kolegjit të Kardinalëve. Njëra palë kërkon vijimësinë e rrugës së reformave dhe hapjes së Papës Frangj, tjetra kërkon një rikthim drejt konservatorizmit tradicional.
Emrat e përmendur më shpesh janë: Kardinali Pietro Parolin (Itali), Luis Antonio Tagle (Filipine), Matteo Zuppi (Itali), Peter Erdő (Hungari), Jean-Marc Aveline (Francë), Fridolin Ambongo (Kongo) dhe Robert Prevost (SHBA). Të gjithë me profile të ndryshme, ata përfaqësojnë edhe orientime ideologjike dhe gjeografike të ndryshme.
Zgjedhja e Papës së ri nuk do të ndikojë vetëm botën katolike, por edhe politikën globale. Selia e Shenjtë është një aktor që ndikon në çështje si paqja, migracioni, ndryshimet klimatike dhe dialogu mes civilizimeve. Një Papë nga Amerika Latine apo Afrika do të sinjalizonte vazhdimësi të universalizmit kishtar. Një Papë europian, do të mund të përfaqësonte një balancë mes traditës dhe modernizmit.
Bota pret. Tym i bardhë apo zi? Zgjedhja e Papës së ri nuk është vetëm çështje fetare, por edhe sinjal i drejtimit shpirtëroro-politik që do të marrë një nga institucionet më të vjetra dhe më me ndikim të botës moderne./Pamfleti
Lini një Përgjigje