TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Prill 2025, 13:55

Trump, një bixhozxhi i keq, luajti bllofin me tarifat!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Trump, një bixhozxhi i keq, luajti bllofin me tarifat!
donald Trump /

Në arenën globale, bllofi nuk është kurrë strategji e sigurt...

Në tavolinën globale të pokerit politik, Donald Trump provoi të luante fort duke e ngritur bastin me tarifat tregtare ndaj Evropës, por loja e tij rezultoi një ‘bllof’ i hidhur që iu kthye në mënyrë dramatike në bumerang.

Presidenti amerikan, i njohur për stilin e tij të negociimit në kufijtë e kërcënimit, zgjodhi të shtrëngojë muskujt me synimin e qartë për të detyruar liderët evropianë të dorëzohen para presionit të tij. Mirëpo, Evropa tregoi se nuk është një ‘kockë’ që mund ta kafshosh lehtë.

Përgjigja europiane nuk ishte thjesht retorikë diplomatike; ajo ishte një goditje strategjike që nxori në pah dobësitë e një lojtari që i mbivlerëson letrat e veta. Duke mos pranuar të përulej, Bashkimi Europian përdori armën më efektive të negociatës ndërkombëtare: solidaritetin ekonomik dhe një kundërgoditje tarifore që bëri të dridhej e gjithë ekonomia amerikane.

Metafora e lojës së bixhozit përshtatet më së miri me këtë situatë: Trump provoi të bënte "All-in" duke besuar se Evropa do ti hidhte kartat në tavolinë. Por, duke mbajtur fort pozicionet e saj, Evropa e ktheu lojën në një sfidë ku humbësi tashmë ishte vetë Trump, duke u përballur me kritika të ashpra brenda të vetëve për pasojat e veprimeve të tij.

Në një botë ku ekonomia është një rrjet i ndërlikuar interesash dhe aleancash, ky rast ilustron më qartë se kurrë, se diplomacia e forcës pa vizion mund të kthehet lehtë kundër vetë atyre që e përdorin. Trump e provoi këtë në kurriz, duke i lënë një mësim të rëndësishëm politikës amerikane: në arenën globale, bllofi nuk është kurrë strategji e sigurt. Për më tepër, zhvillimet politike të fundit, edhe brenda vetë republikanëve kanë ngritur dyshime serioze nëse Trump do të arrijë ta çojë deri në fund mandatin e tij, duke krijuar një atmosferë të pasigurt dhe të tensionuar në politikën amerikane./Pamfleti

politikë trump bllof tarifat gjergj zefi bixhoz

Lini një Përgjigje