
Një incident i pazakontë është regjistruar sot në KZAZ-në nr. 22 në Durrës, ku është konstatuar një parregullsi në një nga kutitë e votimit. Sipas të dhënave zyrtare, dy vota më shumë janë gjetur në kuti krahasuar me numrin e votuesve të regjistruar.
Kandidatja e listave të hapura nga Partia Demokratike, Jola Hysaj, ka reaguar menjëherë duke kërkuar pezullimin e procesit të numërimit dhe rivlerësimin e kutisë. Sipas saj, “duhet të zbatohen të gjitha procedurat ligjore të përcaktuara nga KQZ-ja për raste të tilla, për të garantuar transparencën dhe ligjshmërinë e procesit”.
Në anën tjetër, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë kundërshtuar kërkesën, duke kërkuar që numërimi të vazhdojë normalisht, duke e konsideruar incidentin si të papërfillshëm për rezultatin.
Megjithatë, ky episod ka shtuar dyshimet mbi integritetin e procesit dhe ka nxitur debate të forta në vendin e numërimit. Situata mbetet e tensionuar, ndërkohë që pritet ndërhyrja e zyrtarëve të KQZ-së për të marrë një vendim përfundimtar.
Ky rast nënvizon sërish brishtësinë e procesit zgjedhor në vend dhe nevojën për një mbikëqyrje më të fortë për të shmangur manipulimet dhe konfliktet.
Lini një Përgjigje