TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Dhjetor 2023, 22:00

Të gjithë nën terror nga SPAK, pse Rama po “ushqen” çdo javë aksionin e Sali Berishës?!

Shkruar nga Pamfleti
Të gjithë nën terror nga SPAK, pse Rama po “ushqen”
Dyshja Rama-Berisha

Që në momentin që SPAK ngriti akuzat ndaj Berishës, por sidomos pas kërkesës për arrest, ish-ministra, ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë kanë filluar të mos e bëjnë gjumin rehat...

Mazhoranca qeverisëse vijon t’i hedhë dru zjarrit të konflikti të ndezur nga Sali Berisha. Ky i fundit prej më shumë se dy muajsh ka nisur të ashtuquajturin ‘aksion opozitar’, aksion i cili vjen në një kohë kur SPAK ka ngritur një akuzë penale ndaj tij.

Por nëse shohim me kujdes, duket sikur Berisha çdo javë ka marrë një “dorë” nga Rama. Berishës i duhej një alibi pas ngritjes së akuzave nga SPAK dhe u bë propozimi për komisionet hetimore. PS e refuzoi këtë kërkesë dhe kaq duhej. Berisha nisi revanshin për të bllokuar seancat, por edhe për të dërguar mesazh te SPAK, se ai është “kockë e fortë” dhe nuk bie kollaj.

Prej dy muajsh mazhoranca nuk ka bërë asnjë lëshim ndaj tij, madje Rama në disa dalje në media e ka bërë të qartë se nuk ulet me të edhe sikur të futen në grevë urie. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Rama shumë shpejt doli me një teori të re: “Drejtësinë e solli PS dhe jo Amerika”.

Vetë Berisha e akuzon se është ai që ka iniciuar SPAK ta hetojë, ndërkohë që Rama nga krahu tjetër shprehet se e ka ngritur ai SPAK. Pra duket si një lloj koordinimi. Vetë Berisha kaq donte dhe në çdo dalje del e thotë se Rama vetë e ka pranuar se e kontrollon SPAK.

Mirëpo për të mos lejuar zjarrin të shuhet, PS ka vijuar me të tjera skema. Një e tillë ishte ajo e ndryshimit të Rregullores së Kuvendit, duke ashpërsuar dënimet për deputetët. Edhe pse PS e shiti si një lëvizje për të disiplinuar deputetët, të gjithë e dimë se ajo do e agravojë situatën. Asnjë deputet nuk do njohë përjashtimin dhe ata çdo javë do kacavirren te hekurat e Kuvendit dhe do përplasen me gardistët për të hyrë brenda.

Javën që shkoi Lindita Nikolla bëri një lëvizje tjetër. Kyçi derën e Kuvendit për mbi 1 orë dhe nuk lejonte deputetët të futen, duke provokuar sërish më shumë tension. Në fund deputetët u futën, por tymueset vijuan dhe seanca zgjati 8 minuta, duke mos ndryshuar.

Por edhe sot kanë vijuar manovrat. PS është kujdesur që në seancën e së enjtes të kemi sërish tension. Sot u miratua me shpejtësi ligji për Komisionet Hetimore, ligj i cili vulos mosngritjen e komisioneve. PS ka vendosur shumë kushte, duke bërë të pamundur që opozita në muajt në vijim të kërkojë hetim për “X” çështje të caktuar. Kjo padyshim do nxisë më shumë tension.

Por pse PS po i jep ushqim aksionit të Berishës? E gjitha bëhet për shkak të drejtësisë. Edhe pse Berisha e akuzon Ramën se ka kapur SPAK, në fakt edhe kryeministri është terrorizuar nga Prokuroria Speciale. Që në momentin që SPAK ngriti akuzat ndaj Berishës, por sidomos pas kërkesës për arrest, ish-ministra, ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë kanë filluar të mos e bëjnë gjumin rehat. Shumë prej tyre shprehen se kur “SPAK po godet kaq fort Berishën, imagjino se çdo bëjë me ne”.

Për këtë arsye, socialistëve u intereson që situata të jetë e trazuar. Për sa kohë Berisha kërcënon, anatemon dhe sulmon, ai e di se SPAK e ka të vështirë të hapë një front të ri lufte. U fol gjatë këto ditë se do arrestohej Ilir Meta, por SPAK duket se është tërhequr sepse po merren me Berishën. Si duket kjo është strategjia e Ramë: do ta mbajë të zënë prokurorinë dhe të shtojë presionin politik ndaj saj.

Mbetet të shihet se sa gjatë do zgjasë kjo punë, pasi siç duken ujërat, nuk ka kthim pas për asnjë. Berisha dhe shumë të tjerë, herët a vonë, do të duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë bërë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje