
Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar me gazetarët në Shkup, foli për samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur edhe tek darka e zhvilluar me zyrtarë të BE dhe SHBA.
Rama tha se ndodhej për herë të parë në një darkë ku të pranishëm ishin presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke theksuar se ishte një takim pozitiv.
Kryeministri gjithashtu nënvizoi se në atë takim, u zhvillua një komunikim pozitiv mes të gjithë palëve, teksa bëri thirrje për të lënë pas të shkuarën dhe për të punuar konkretisht për të ardhmen.
“Është hera e parë që unë jam në një darkë së bashku me Albinin dhe Presidentin Vuçiç dhe u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve. Dhe më rezulton që ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë për të na dhënë mundësinë që ne të marrim shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik dhe financiar flasin vetë për atë që më ka rënë goja gjithë këto vite, pasi ne duhet të integrohemi vetë brenda për brenda. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë duke u marrë me terminologji. BE e ka bërë të qartë që kush do të bëhet shkak do të penalizojë vetveten. Në vend të merremi me përmbajtjen duhet të merremi me punë konkrete”, tha ai.
Ndër të tjera nga Shkupi, Rama paralajmëroi se në Tiranë do të mbahet një Samit për Ukrainë.
“Siguria nuk kanë qenë temë e takimit të sotëm, ndërkohë që janë prekur në mënyrë parimore, mbase të detajuar në takimet bilaterale. Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën, dhe duhet të kemi të pranishëm presidentin Zelensky dhe do përpiqemi në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit të sotëm të BE dhe që janë atë që do ndjekin për të bërë një bilanc të këtij muaji për të vijuar të vazhdojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet nga proceset e reja, që po ndodhin në BE, ka zgjedhje të reja. Ne duhet të mbyllim këtë paketë duke bërë punën tonë Brenda afateve që ka kjo administratë në Bruksel. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin e Ukrainës në lidhje me sfidat e sigurisë”, tha Rama.
Lini një Përgjigje