
Ish deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka deklaruar se bashkimi i 43 deputetëve demokratë të dalë nga zgjedhjet e vitit 2021 erdhi për shkak të disa rrethanave, ku një ndër to ishte dhe rikthimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike zyrtare.
“Rrethana ka të caktuara, gjithmonë për ngjarje të mëdha ka rrethana të vogla që e shtynë ngjarjen përpara. Presioni i elektoratit ka qenë i madh që bashkimi të realizohej”, tha Boçi.
Kërkesa që patën deputetët, pasi grupi i deputetëve u angazhuan që Lulzim Basha të jepte dorëheqjen dhe ky grup deputetësh nuk mund të përulej para një rikthimi.
Sipas Boçit, takimet mes deputetëve duhet të vijojnë dhe kërkoi zgjerimin e frontit opozitar duke u bërë një ftesë për bashkim dhe atyre që janë rreshtuar krah Bashës.
“Ky zgjerim duhet të vazhdojë, komunikimi duhet të vijojë dhe me pjesën tjetër, përveç atyre përjashtimeve. Ka ende koka të nxehta brenda nesh dhe këto duhet të ftohen dhe ky bashkim është i domosdoshëm”, u shpreh ai.
Teza e hedhur muaj më parë për nevojën e regjistrimit të një sigle të re nga Sali Berisha pranohet edhe nga Luçiano Boçi se është diskutuar në selinë blu, por ai është skeptik që kjo mund të ndodhë.
“Nuk është se nuk ka pasur debate, diskutime apo propozime për këtë gjë, por unë mendoj jo të dalë dikush dhe të vjedh historinë. Nuk është vetëm vula apo logo, por janë kontributet e shumë demokratëve”, tha ai.
Mbledhjet e radhës së deputetëve demokratë për Boçin duhet të bëhen në seli, pasi sipas tij simbolika është shumë e rëndësishme dhe jep peshë tjetër në luftën përballë qeverisë.
Lini një Përgjigje