Kohët e fundit, hija e rëndë e disa skandaleve ku është implikuar emri i saj ia njollosi imazhin e vajzës, apo gruas së shkolluar në perëndim, imazh mbi të cilin i ngjiti hapat e karrierës në parti dhe më pas në qeveri...
Ndërsa ka mbledhur sendet personale nga zyra e ministrit të jashtëm, çelsat e së cilës i mbajti për dy vjet e tetë muaj, Olta Xhaçka duhet ta ketë pyetur edhe një herë veten se ku gaboi, për të merituar atë shkarkim shokues nga detyra. Cili qe ai moment që i kushtoi karrierën bashkë me postin e lakmuar si shefe diplomacie? Cili qe ai që mund ta ketë bindur Ramën të firmosë për shkarkimin e saj papritur e papandehur? Oligarkët, për të cilët ishte detyruar të negociojë me ushtarakët e lartë? Amerikanët, me të cilët kishte bashkëpunuar në OKB? Apo ndonjë dredhi nga Greqia?
Pak ditë para shkarkimit, për Xhaçkën frynte një erë krejt tjetër. Në 1 Shtator, doli para kamerave dhe foli për punën që e priste në presidencën e dytë të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Kishte angazhime të reja përpara, projekte inovative dhe marrëdhënie për të forcuar me partnerët perëndimorë.
Nuk e kishte nuhatur se në tryezën e mbushur me lapsa shumëngjyrësh të kryeministrisë, me njërin prej tyre vizatohej një vizë mbi emrin Xhaçka, si shenjë e mënjanimit përfundimtar nga qeveria.
Besnike e politikave të Rilindjes, me kontribute të hershme në opozitë dhe me një lidhje të fortë personale që kalon përmes bashkëshortit të saj, Artan Gaçit, ish-shok shkolle me Ramën, Xhaçka ka qenë një ndër ministret me pozitat më solide në qeveri për 6 vite rresht.
Por kohët e fundit, hija e rëndë e disa skandaleve ku është implikuar emri i saj ia njollosi imazhin e vajzës, apo gruas së shkolluar në perëndim, imazh mbi të cilin i ngjiti hapat e karrierës në parti dhe më pas në qeveri. Gjasat janë që kryeministri e ka lëshuar Xhaçkën pas skandaleve të rënda ku është përfolur, në një kohë kur diplomacisë shqiptare i duhet të llogarisë kundërsulmin diplomatik grek për Fredi Belerin.
Xhaçka ka qenë disa herë në SPAK, ku është marrë në pyetje në lidhje me dhënien me qira të bazës detare të Limionit, në periudhën kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Në korrik të viti 2020, qeveria e dha bazën me qira për ndërtimin e një projekti turistik që duhej të realizohej nga bashkimi i shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk.
Por një kallëzim i ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari që pretendoi se për nxjerrjen e pronës nga Plani i Përhapjes nuk ishte marrë miratimi i Presidentit, si komandant i Forcave të armatosura, bëri që SPAK të nisë procedurat dhe të sekuestrojë pronën.
Meçollari ka treguar se Xhaçka ka negociuar me ushtarakët për nxjerrjen e pronave nga Plani i Përhapjes duke u vënë në rolin e sekseres në interes të biznesmenëve të mëdhenj.
Historia e hotelit me 5 yje në Dhërmi në pronësi të bashkëshortit të saj, Artan Gaçit i ka kushtuar shumë kokëçarje Olta Xhaçkës, por edhe Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama. Opozita e akuzon Xhaçkën se ishte në konflikt interesi si ministre, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” me vendim qeverie. Xhaçka u mbrojt duke thënë se nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen ku u mor vendimi dhe se bashkëshorti i saj kishte vite që merrej me biznes.
Përpjekjet e opozitës për ta dërguar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese, Partia Socialiste i refuzoi duke detyruar Kushtetuesen të marrë një vendim kundër socialistëve. Por kërkesa e opozitës ka mbetur peng i zvarritjes së procedurave në parlament, pasi socialistët janë shndërruar në mburojë të Xhaçkës.
Në prag të zgjedhjes së kreut të ri të SPAK në dhjetor të vitit të kaluar, Xhaçka bëri një hap fals, me gjasë e detyruar nga shefi i saj, Edi Rama. Ministria jonë për Evropën dhe Punët e Jashtme publikoi një status në Tëitter, sipas të cilit konfirmohej se “procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht”.
Ky mesazh ishte një rrufe në qiell të pastër, në marrëdhëniet e shkëlqyera mes ish-ambasadores Juri Kim dhe Ministres sonë të Jashtme, Olta Xhaçka. Normalisht njoftimi i SHBA për të informuar Ministrinë tonë të Jashtme se kishte nisur procedurën e zëvendësimit të ambasadores duhej mbajtur konfidencial. /Lapsi.al
Lini një Përgjigje