TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Nëntor 2025, 16:16

Si e ktheu Edi Rama shtetin në një punëtor të krimit

Shkruar nga Pamfleti
Si e ktheu Edi Rama shtetin në një punëtor të krimit
Edi Rama /

Nga AMP te Policia e Shtetit, rrjetet e uniformave që mbrojnë baronët e krimit tregojnë se në Shqipëri nuk kemi “policë të lidhur me bandat”, por një polici të komanduar nga krimi vetë...

Rasti i punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që shërbente si shofer i Gilmando Danit nuk është incident, por simptomë e një sëmundjeje të përhapur: policia shqiptare është kthyer në një trupë mbrojtëse e botës së krimit.
Nga AMP deri në drejtori, oficerë, hetues e shefa komisariatesh janë pjesë e zinxhirit që ushqen dhe mbron baronët e drogës dhe të trafiqeve.
Në vend të spastrimit, kemi heshtje politike dhe një sistem që e ka bërë shtetin vasal të bandave.

Rasti i fundit i punonjësit të AMP-së që shërbente si shofer personal i Gilmando Danit nuk është as përjashtim, as rastësi.
Është modeli i funksionimit të shtetit shqiptar, ku krimi dhe policia nuk janë në dy anë të ligjit, por dy hallka të së njëjtit zinxhir.
Prej vitesh, çdo baron i krimit, i vrarë apo i arrestuar, është zbuluar në shoqërinë e një oficeri policie, një agjenti sigurie apo një punonjësi të ministrisë së Brendshme.

Në vende normale, raste të tilla ndodhin si përjashtim, si rryshfet, si korrupsion individual.
Në Shqipëri, është e kundërta: ndodh sepse sistemi është i ndërtuar mbi këtë marrëdhënie.
Policia e Shtetit, në vend që të luftojë krimin, është komanduar prej tij.
Oficerët e lartë nuk emërohen nga meritokracia, por zgjidhen nga kupolat kriminale që janë pjesë e divanit politik të Edi Ramës.
Në krye, nuk është më ligji, por lidhja me grupet që financojnë pushtetin.

Nga informacionet te besnikëria ndaj bandave

Të gjitha informacionet e klasifikuara që qarkullojnë në strukturat e sigurisë, përfundojnë në duart e bandave para se të mbërrijnë në prokurori.
Operacionet dekonspirohen, fushatat e arrestimeve dështojnë, ndërsa oficerët që guxojnë të jenë profesionistë, largohen ose shantazhohen.
Kupola e policisë është kthyer në filial të krimit të organizuar, ku drejtuesit lokalë janë garantët e interesave të baronëve që veprojnë në territorin e tyre.

Rasti i AMP-së është thjesht shembulli që u kap mat.
Pas tij fshihen dhjetëra oficerë që shërbejnë si shoferë, truproja, sekserë dhe korrierë të kriminelëve më të fuqishëm në vend.
Një pjesë janë me uniformë, një pjesë në burgje, të tjerë të fshehur pas emrave të kompanive të sigurimit privat.
Në realitet, policia shqiptare është shteti paralel i krimit; i organizuar, i mbrojtur dhe i ushqyer nga politika.

Heshtja që vjen nga maja e piramidës

Në një shtet normal, pas një skandali të tillë, duhej të kishte pasuar një valë dorëheqjesh e hetimesh:
- Drejtori i Policisë së Shtetit duhej të ishte para prokurorisë;
- Kreu i AMP-së duhej të ishte shkarkuar menjëherë;
- Ministrja e Brendshme duhej të kishte dhënë dorëheqje.

Asgjë nga këto nuk ndodhi.
Sepse çdo hallkë e policisë mbron hallkën tjetër, dhe në majë të piramidës është një kryeministër që nuk kërkon pastrim, por kontroll.
Edi Rama e di shumë mirë se garancia e mbijetesës së tij politike është mbrojtja që i ofron elita kriminale që ka kapur shtetin.
Kupolat e krimit janë kordoni i tij mbrojtës, si në zgjedhje, ashtu edhe në qeverisje.

Në burgjet shqiptare, kriminelët e rrezikshëm komandojnë bizneset e tyre nga qelitë.
Ndërtojnë pa leje, jetojnë me luks dhe drejtojnë rrjetet e trafiqeve si nga një zyrë e zakonshme.
Oficerët e burgjeve, që duhej të ishin roje të shtetit, janë kthyer në personel hotelesh, që shërbejnë për “klientët VIP” të mafies.

Në këtë realitet, nuk kemi më “oficerë të lidhur me krimin”.
Kemi një polici të mbështetur mbi krimin, ku karriera ndërtohet përmes besnikërisë ndaj bandave, jo ndaj ligjit.
Shteti është i ndarë në territore influence, ku çdo grup kriminal ka oficerin, prokurorin dhe politikanin e vet.

Në këtë situatë, çdo thirrje për reformë, çdo “fshesë” apo “vetting policor” është farsë.
Sepse nuk mund të pastrosh një sistem që komandohet nga vetë krimi.
Vetëm një aksion politik pa kompromis, që nuk zgjedh “cilin grup të godasë dhe cilin të mbrojë”, mund ta rikthejë kontrollin e shtetit mbi ligjin.
Kjo luftë ka kosto të lartë, por është e vetmja që mund të shpëtojë Shqipërinë nga kthetrat e një mafie që tashmë është bërë vetë shteti.

Në fund, oficerët që i shërbejnë krimit nuk janë më individë të korruptuar, janë simboli i një shteti të kapur, ku uniforma nuk mbron më qytetarin, por kriminelin që e paguan.
Dhe në majë të këtij sistemi që hesht dhe urdhëron është Edi Rama, që nuk ka më nevojë për policinë, sepse e ka kthyer krimin në polici./Pamfleti

shteti si punëtor i krimit edi rama

Lini një Përgjigje