TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Nëntor 2025, 13:48

Rama emëron Xhemal Qefalinë zv.ministër të Brendshëm

Shkruar nga Pamfleti
Rama emëron Xhemal Qefalinë zv.ministër të Brendshëm
Xhemal Qefalia emërohet zv/ministër i Brendshëm

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia është emëruar zv.ministër i Brendshëm, një ditë pas atentatit mafioz në Rinas.

Qefalia nuk mundi të merrte mandatin e deputetit në zgjedhjet e 11 majit në Tiranë.

Qefalia, ish-deputet i Partisë Socialiste, pritej të rikthehej në Kuvend për të zëvendësuar Ogerta Manastirliun, në rast se kjo e fundit do të kandidonte për kryetare të Bashkisë së Tiranës.

Megjithatë, sot ai ka marrë një detyrë të rëndësishme ekzekutive, duke u bërë zëvendës i ministres Koçiu në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas atentatit mafioz pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani, ngjarje që ka vënë në lëvizje strukturat e rendit dhe të hetimit.

Me dekretimin e Qefalisë si zëvendësministër, pritet që Ministria e Brendshme të forcojë strukturat drejtuese në kuadër të masave për sigurinë publike dhe kontrollin e brendshëm policor e cila duket hapur që ka dalë jashtë kontrollit.

Në atentatin e Rinasit, shënjestra ka qenë Gilmando Dani, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes. Ai ka qenë emër i njohur për drejtësinë pasi njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit. Nga ana tjetër, shoku i tij Muçi Shaljani, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, rezultoi të ishte agjent i AMP-së.

DSIK-ja, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjësit e agjencisë bëri me dije se Shaljani nuk rezulton të ketë certifikatë sigurie. Ai ishte punësuar prej shtatorit të këtij viti kur AMP drejtohej nga Artiol Saliasi dhe ka një kontratë 3-mujore deri në mes të dhjetorit.

Drejtori aktual i AMP-së, Eduart Merkaj ka pezulluar zinxhirin komandues të Forcës së Posaçme Operacionale deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati. Po ashtu ka nisur një verifikim i brendshëm për të zbuluar se si Shaljani është rekrutuar brenda agjencisë.

xhemal qefalia emërohet zv/ministër i brendshëm

Lini një Përgjigje