
Ditën e sotme 24 dhe nesër 25 qershor në Hagë mbahet samiti i NATO-s. Të pranishëm në këtë samit janë 32 liderë dhe krerë të shteteve anëtarë të aleancës, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim edhe me shefin e aleancës Mark Rutte. Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani, i Mbrojtjes Pirro Vëngu, drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni dhe Arben Kingji, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mikun e çmuar, Mark Rutte, me të cilin folëm për angazhimet e Samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, shkroi Rama,
Samiti vjen mes luftës të Rusisë në Ukrainë dhe pasigurisë rreth të ardhmes së Uashingtonit në aleancë. Samiti i NATO-s është i pari në të cilin merr pjesë presidenti i SHBA Donald Trump që kur ai mori detyrën në janar për mandatin e tij të dytë. Shefi i NATO-s Mark Rutte gjithashtu do ta kryesojë takimin për herë të parë.
Ndër pikat e pritura të diskutimit janë lufta në Ukrainë dhe çështja se sa po shpenzojnë shtetet anëtare për mbrojtjen e tyre kolektive, një pikë e diskutueshme në veçanti për SHBA-në. Trump ka argumentuar prej kohësh se SHBA-të mbajnë mbi supe shumë barrë financiare dhe dëshiron që të tjerët të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.
Lini një Përgjigje