Mediat greke përmendin burrin e Xhaçkës si investitor strategjik në Himarë, teksa shprehen se ajo ka qenë një ndër ministrat më të egër me Belerin...
Greqia ka rihapur edhe një herë sot debatin mbi Fredi Belerin. Shkak është bërë një rezolutë e Partive Popullore Europiane, e cila kërkon që ai të lejohet nga drejtësia të bëjë betimin e tij si kryebashkiak.
Rama reagoi ashpër ndaj rezolutës, duke e cilësuar të papranueshme. Kjo ka sjellë dhe reagime në mediat greke, të cilat sulmojnë kryeministrin shqiptar.
“Rezoluta e jashtëzakonshme e miratuar unanimisht nga të gjitha forcat politike të Partisë Popullore Evropiane, pas propozimit të Demokracisë së Re, dënon Shqipërinë dhe Edi Ramën për rastin e Fredis Beleris. Në deklaratën e tij përmes Twitter-it, kryeministri shqiptar në thelb tallet me vendimin e PPE dhe e cilëson të papranueshme”, shkruan “Hellas Journal”.
Nga ana tjetër, mediat greke janë kënaqur shumë nga shkarkimi i Olta Xhaçkës si ministre e Jashtme. “Kthimerini” shkruan se ajo është personi që fshihet pas arrestimit të Belerit dhe nga ana tjetër kanë ngjallur shpresa se me largimin e saj, ndoshta qeveria shqiptare do të ndryshojë qëndrim.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama largoi nga qeveria ministren e Jashtme Olta Jacka, e cila u zëvendësua nga Igli Hassani. 43-vjeçarja Tzatska ka qenë një deputete në ngritje e Partisë Socialiste, pasi para se të merrte Ministrinë e Jashtme shqiptare në vitin 2021, ishte ministre e Mbrojtjes për tre vjet. Ajo është e martuar me biznesmenin Artan Gatçi, i cili është nën vëzhgimin e parlamentit shqiptar dhe Gjykatës së Lartë për ligjshmërinë e diskutueshme të investimeve turistike në Himarë. Ish-ministrja kishte mbështetur linjën e “fortë” shqiptare për çështjen e arrestimit dhe burgosjes së Fredi Belerit dhe disa thonë se largimi i saj mund t'i japë mundësi Edi Ramës të ndryshojë qëndrim për këtë çështje”, shkruan “Kathimerini”.
Lini një Përgjigje