Në takimin e 20-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, raportuesi i BE-së për Shqipërinë, Andreas Schieder, vlerësoi progresin e vendit dhe theksoi se procesi i integrimit europian duhet të përfshijë të gjithë territorin, jo vetëm kryeqytetin.
Schieder theksoi gjatë fjalës së tij rëndësinë e zhvillimit rajonal dhe përmirësimit të standardeve të jetesës si pjesë thelbësore e afrimit me Bashkimin Europian.
“E njoh Shqipërinë prej një kohe shumë të gjatë dhe kam parë shumë zhvillime që kanë ndodhur në këtë vend. Duhet ta vlerësojmë vendin për gjithë progresin që ka bërë deri tani. Nëse shikojmë Tiranën, shikojmë përmirësimin në standardin e jetesës, do të shikojmë sa është zhvilluar vendi vetëm në disa vite.
Integrimi s’ka të bëjë vetëm me kryeqytetet, me Tiranën e Brukselin. Nuk ka të bëjë vetëm me Tiranën, por me gjithë vendin dhe zhvillimin në rajonet malore dhe rajonet e tjera. Politika sjell gjithmonë shumë çështje që mund të diskutohen. Kemi dëgjuar shumë, diskutuar shumë dhe kjo është e rëndësishme.”, tha Schieder.
Raportuesi i BE-së e përshkroi Shqipërinë si pararendëse të proceseve të integrimit, duke vlerësuar ecurinë e deritanishme të reformave dhe përpjekjet për të përmbushur standardet europiane.
“Procesi i integrimit evropian është shumë i rëndësishëm dhe urime, ne do të themi që edhe Komisioni Evropian e ka quajtur Shqipërinë një pararendëse të proceseve. S’ka të bëjë vetëm me hapjen e kapitujve, por edhe me mbylljen e tyre. Gjithë ky ndryshim i shoqërisë dhe zbatimi është ajo që kuptojnë qytetarët, me politikat e huaja, luftën kundër korrupsionit, ekonominë, mjedisin, standardin e jetesës, por edhe ndryshimin e përgjithshëm në shoqëri dhe çfarë presin njerëzit nga PE. Është situata e Shqipërisë që e ka bërë këtë të mundur.”, shtoi Schieder.
Në fund të fjalës së tij, ai njoftoi se viti i ardhshëm do të sjellë raportin e ri për Shqipërinë, duke theksuar se një vit është “shumë i shkurtër për të përmbledhur të gjitha zhvillimet që priten”.
“Bashkimi Europian nuk ka të bëjë vetëm me politikat, por me jetët e njerëzve,”, përfundoi Schieder.
Lini një Përgjigje