30 për qind e listave do të jenë të mbyllura, ku sërish Rama dhe Berisha do të përcaktojnë emrat që shkojnë në Kuvend...
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur dakordësinë për Reformën Zgjedhore. Ndonëse u fol për shumë ndryshime dhe për një reformë që do të sillte zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, sërish Rama dhe Berisha kanë tentuar të ruajnë pozitat e tyre.
Palët kanë negociuar nën rrogoz prej disa javësh dhe drafti ka shkuar në Komisionin e Ligjeve në mënyrë të beftë, duke kapur të befasuar dhe deputetët.
Dashnor Sula e cilësoi një skenar si ai i vitit 2008, ku Rama e Berisha ndryshuan sistemin për të goditur Metën dhe për të forcuar pozitat e tyre në caktimin e listave.
"S’ka asnjë lloj logjike, që unë e mësoj gjysmë ore para, skam pasur mundësi ta lexoj pr.ligjin që është depozituar nga PS dhe PD. Gjithçka është vlerësuar, vulosur dhe ka ardhur këtu. Nismat e tjera që do diskutohen sot janë totalisht kot. Votimi i 21 prillit 2008, më kujtohet mirë kur ishte kryetar i komisionit Rusjmali dhe u diskutua me shpejtësi të madhe, thjesht anëtarët e komisioneve të ligjeve ngrinin dorën. E njëjta skenë po përsëritet më 2024, të diskutojmë çfarë tha Mediu, na jepni kohën që t’i lexojmë dhe t’i diskutojmë nesër", tha Sula.
Drafti
Ndryshimi më thelbësor është neni 67, ku palët bien dakord që 70 për qind të listave të jenë të hapura dhe 30 të jenë të mbyllura. Pra duket sikur qytetarëve u hidhet hi syve, pasi në fakt nuk është se kemi shumë lista të hapura. Do të jenë po Rama me Berishën ata që do të vendosin fituesit. Pra ruhet pazari i vitit 2008.
Por si do të funskinojë skema?
Partitë do të dorëzojnë dy lista kandidatësh, një listë me emra të fiksuar, pra lista e mbyllur dhe një listë me kandidatë të hapur. Sipas propozimit, te lista e mbyllur do jenë vetëm 30 për qind e numrit total të mandateve në atë qark.
Pra nëse marrim Tiranën që ka 34 deputetë, çdo parti do dërgojë 11 emra, që do kenë thuajse të sigurt fitoren. Ndërkohë do dërgojnë dhe një listë të dytë me 34 emra, ku aty do të jetë një renditje se kush merr më shumë vota. Duke qëndruar në Tiranë, nëse një parti merr 15 mandate, 11 emrave të parë që janë shapllur fitues nga kreu i partisë, do u bashkangjiten dhe 4 të tjerët më të votuar nga lista e hapur.
“Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve: a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
2. Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh, atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5, lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5, lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.
3. Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre”, thuhet në nenin 67.
Një tjetër element është se u mbyllet dera partive të vogla. Partitë kanë rënë dakord që të mbetet në fuqi pragu 1 për qind. Pra, nëse asnjë parti në rang kombëtar nuk merr 1 për qind të votave, nuk merr mandat. Kjo godet gjithë partitë e reja që pritet të futen në garë, nga Alrind Qori, Adriatik Lapaj, Endri Shabani, etj. Sërish jemi te pazari i vitit 2008.
“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi”, thuhet në nenin 162.
Hileja më e madhe duket se qëndron të vota e Diapsorës. Palët kanë rënë dakord që të votohet me postë, teksa në komision Enkelejd Alibeaj ngriti shqetësimin e garantimit të sigurisë. Mos vallë Berisha po i jep Ramës në dorë votat e Diasporës, pasi ai kontrollon Postën dhe manipulimi është shumë i lehtë. Edhe nëse kontraktohet postë private, sërish shanset për manipulim janë të larta.
“KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit, ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkrurtra që mundëson legjisalcioni për prokurimin publik”, theksohet në propozim.
Po ashtu, PD dështoi të heqë kufizimin e koalicioneve para zgjedhore. PS nuk ka lëvizur nga kjo pjesë e cila godet drejtpërdrejt opozitën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje