Qeveria ndryshon ligjin për politikën e jashtme, Rama merr në dorë emërimin e ambasadorëve dhe shmang Kuvendin...
Kryeministri Edi Rama ka vendosur të marrë vetë në dorë emërimin e ambasadorëve, duke shmangur Kuvendin.
Historikisht, çdo kandidat për ambasador dilte në Komisionin e Jashtëm dhe më pas emri i tij shkonte te Presidenti. Edhe pse seancat kanë qenë sa për sy e faqe, në aspektin ligjor Kuvendi shihej si një hap kontrolli para se emri të dërgohej për dekretim.
Mirëpo kryeministri ka vendosur që tani këtë të drejtë t’ia japë Kuvendit vetëm pasi emri të jetë dekretuar. Pra një lëvizje pa vlerë, pasi çfarë kuptimi ka që ambasadori të dalë në seancë dëgjimore pasi është emëruar?
Kjo është bërë e ditur në ligjin e ri për shërbimin e jashtëm, i cili është hedhur për konsultim. Sipas tij, emrat e ambasadorëve nga tani e në vijim i çon kryeministri te Presidenti, duke anashkalur Kuvendin.
“1. Misioni diplomatik drejtohet nga Ambasadori ose i Ngarkuari me Punë. 2. Ambasadori emërohet dhe lirohet nga Presidenti i Republikës, jo më vonë se 30 ditë pas propozimit të Kryeministrit. 3. Ministri i paraqet Kryeministrit propozimin për emërimin dhe lirimin e ambasadorit. 4. Pas emërimit nga Presidenti i Republikës, Ambasadori paraqet platformën përkatëse në një seancë dëgjimore pranë Komisionit për Politikën e Jashtme”, thuhet në ligj.

Një zhvillim tjetër është se qeveria ka vendosur të ndryshojë mandatin e diplomatëve, nga 3 në 4 vite. Ky veprim vjen pas emërimeve në selitë kryesore diplomatike të besnikëve të kryeministrit.
“Mandati i kreut të misionit diplomatik është katër vjeçar. Kreu i misionit diplomatik nuk mund të ushtrojë më shumë se dy mandate të njëpasnjëshëm në misione diplomatike dhe poste konsullore. Kreu i misionit diplomatik, në rastin kur përfaqësimi diplomatik është në nivelin e të ngarkuarit me punë të përhershëm, emërohet nga Ministri. Në kushtet e mungesës së përkohshme të kreut të misionit, drejtimi i misionit diplomatik dhe funksionet e të ngarkuarit me punë i kalojnë, si rregull, diplomatit me gradën më të lartë, përveç rasteve kur vendoset ndryshe nga Ministri”, thuhet më tej në ligj.
Propozimet ligjore për shërbimin e jashtëm vijnë nëntë vjet pasi Edi Rama vendosi të shfuqizojë kufirin prej 20% të kandidatëve që mund t'i rekrutonte jashtë sistemit të karrierës diplomatike, nga radhët e personaliteteve të shquara në fusha të tilla si marrëdhëniet ndërkombëtare apo ekonomia, kultura apo shkenca. Në praktikë, heqja e këtij kufiri u hapi rrugën e karrierës diplomatike disa prej funksionarëve të Partisë Socialiste.
Edhe në draftin e ri, lihet sërish një shteg i hapur. “1. Kreu i misionit diplomatik përzgjidhet ndërmjet diplomatëve të karrierës me gradë të lartë, jo më pak se këshilltar. 2. Në raste të veçanta, bazuar në interesat e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ministri i propozon Kryeministrit kandidatura për kre të misionit diplomatik jashtë sistemit të karrierës diplomatike, personalitete të shquara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të së drejtës, ekonomisë, kulturës, shkencës apo të shoqërisë civile, me lidhje ose marrëdhënie dobiprurëse me shtetin pritës”, thuhet në nenin 33.
Dera e emërimeve klineteliste lihet edhe te stafi i ambasadave. Në nenin 37 thuhet se mund të bëhen emërime nga jashtë sistemit: “Në personelin e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore mund të përfshihen edhe nëpunës të emëruar nga Ministri, në bazë të një marrëveshjeje me ministritë ose institucionet e tjera shtetërore, për të kryer detyra në fushën ekonomike, juridike, kulturore, shkencore, të mbrojtjes, sigurisë dhe në çdo fushë tjetër, për një kohë të përcaktuar. Gjatë kohës së shërbimit në misionin diplomatik ose postin konsullor, këta nëpunës gëzojnë të njëjtin status me diplomatët dhe, pas përfundimit të këtij shërbimi, rikthehen në pozicionin e mëparshëm, ose në një pozicion të barasvlershëm me të. Procedurat për emërimin dhe trajtimin financiar të tyre rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Shpenzimet për këtë kategori nëpunësish përballohen nga institucioni dërgues”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje