Wisner ka deklaruar se keqqeverisja duhet luftuar dhe e cilësoi si të pakuptimtë faktin që nuk denoncohet korrupsioni...
Kryeministri Edi Rama ka marrë një goditje nga amerikanët, sa i takon “filmave” që po bën me drejtësinë e re.
Ndonëse deklaron se ishte ai që e solli SPAK-un, u ka dhënë urdhër të vetëve që të mos hapin dyert për prokurorinë dhe BKH, teksa po ashtu institucionet kanë vendosur të mos bëjnë më padi. Vetë Altin Dumani deklaroi se institucionet nuk denoncojnë korrupsionin.
Lidhur me deklaratën e tij ka reaguar për herë të parë i dërguari me punë i SHBA, David Wisner. Ai ka deklaruar se keqqeverisja duhet luftuar dhe e cilësoi si të pakuptimtë faktin që nuk denoncohet korrupsioni.
“Kam menduar shumë se pse Z. Dumani e tha këtë, pse Prokurori i Përgjithshëm tha diçka të ngjashme. Është një sfidë e vërtetë dhe mendoj se një shqetësim është që shumë njerëz nuk ndjejnë se mund të ngrihen dhe të ngrenë zërin për atë që duan kur shohin keqqeverisje apo korrupsion apo shkelje nga çdo krah, por mendoj se ajo që është vërtet e rëndësishme është që të vazhdojmë të këmbëngulim për t’i bërë gjërat në mënyrën e duhur, për t’i ndërtuar këto institucione, për t’u afruar me aspiratat e popullit shqiptar. Dhe ne jemi shumë të emocionuar të vazhdojmë në këtë rrugë”, tha ai.
Po ashtu ai e bëri të qartë se SHBA do të mbështesë deri në fund drejtësinë. Ambasadori kërkoi që organet të inkurajohen dhe jo të sulmohen dhe anatemohen. Mesazhi ishte për të gjithë klasën politike.
“Gjithmonë kemi thënë se reforma në drejtësi, ndërtimi i institucioneve të pavarura në këtë vend, nuk do të ishte asnjëherë e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur. Dhe mendoj që kjo vazhdon të jetë e vërtetë sot. Por mendoj edhe që shqiptarët duhet të ndihen me të drejtë krenarë për faktin që institucionet e pavarura të drejtësisë sot kanë ndërmarrë veprime kundër politikanëve të lartë të dyshuar për korrupsion, kanë ndërmarrë veprime kundër figurave të krimit të organizuar. Ky lloj përparimi nuk është pak dhe është me rëndësi kyçe që të vazhdojë angazhimi i të gjithë shoqërisë shqiptare për t’i luftuar ato sepse këtë duan vërtet shqiptarët. Dhe ne jemi shumë krenarë që qëndrojmë në krah të shqiptarëve teksa ndërtojnë një të ardhme më të mirë”, tha ai te “VOA”.
Po ashtu ai inkurajoi dhe opozitën. Ambasadori deklaroi se zgjedhjet që vijnë janë shumë të rëndësishme dhe kërkoi që të ketë alternativa në dobi të qytetarëve.
“Si parim i përgjithshëm, debati i hapur, i gjallë, është i rëndësishëm për çdo demokraci. Në të njëjtën mënyrë, mendoj se është fantastike të shohim që opozita është kthyer në parlament dhe ka rimarrë funksionet në atë mënyrë që presin qytetarët shqiptarë. Do të thoja që mendoj se të gjithë presim me kënaqësi zgjedhjet vitin e ardhshëm. Është një mundësi vërtet e rëndësishme që politikanët shqiptarë të paraqesin idetë e tyre përpara qytetarëve shqiptarë, për ta shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar një debat të gjallë, dhe mendoj se do të jetë një çast i shkëlqyer për Shqipërinë”, tha ai.
Lini një Përgjigje