Ukraina kërkon një takim të drejtpërdrejtë mes presidentëve, me Trump dhe Erdogan si ndërmjetës. Kremlini mban qëndrim të fortë, ndërsa lufta përshkallëzohet...
Pas raundit të dytë të bisedimeve në Stamboll mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë, Kremlini hodhi poshtë propozimin për një armëpushim 30-ditor, duke ofruar vetëm pauza të pjesshme, simbolike dhe në zona të kufizuara. Mospranimi i armëpushimit vjen në një moment kur kriza humanitare dhe humbjet në të dy anët e frontit po thellohen ndjeshëm.
Përballë kësaj situate, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi një kartë të re diplomatike në tryezë: një takim ballë për ballë me presidentin rus Vladimir Putin, me dy figura të forta të arenës ndërkombëtare si ndërhyres; Donald Trump dhe Recep Tayyip Erdogan.
Trump, reagoi menjëherë duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar. Por nga Kremlini nuk erdhi asnjë konfirmim apo refuzim zyrtar. Një heshtje e ftohtë, që tregon ose kalkulim strategjik, ose refuzim të heshtur.
Këto zhvillime ndodhën në sfondin e një sulmi të fuqishëm ajror nga Ukraina, e cila goditi bazat ajrore ruse duke shkatërruar një numër avionësh strategjikë. Një veprim ushtarak që dërgoi sinjalin se Kievi nuk është i gatshëm të presë pafund diplomacinë, sidomos kur kushtet e ofruara nga Rusia cilësohen si kapitulluese: njohja e aneksimeve, ndalimi i integrimit në NATO dhe njohja e gjuhës ruse si zyrtare.
Ndërkohë, Ukraina publikoi një listë me 400 fëmijë të rrëmbyer nga Rusia dhe kërkon kthimin e tyre. Moska pranoi të diskutojë vetëm për 10.
A do të hyjë Trump në lojë për paqen? Kjo mbetet pyetja që po qarkullon në qendrat diplomatike perëndimore. Nëse pranohet roli i tij si ndërhyres, do të ishte hera e parë që Uashingtoni dhe Ankaraja do të bashkëpunonin për të vendosur një kornizë të re bisedimesh, në një moment që lufta rrezikon të shndërrohet në një konflikt të ngrirë pa zgjidhje.
Por pa lëvizjen e Putinit, gjithçka mbetet spekulim. Heshtja e Moskës është ndoshta më e zhurmshme se fjalët./Pamfleti
Lini një Përgjigje