Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish sot për provat e reja në lidhje me dosjen e tij, që sipas SPAK kanë mbërritur përmes letërporosisë nga SHBA.
Nga burgu, Meta i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe ironizoi hetimin, duke thënë se “provat amerikane janë si tigrat e Bangladeshit, që nuk prodhojnë asgjë”.
Sipas tij, midis kompanisë GSIS dhe LSI-së ka ekzistuar një kontratë tërësisht e dokumentuar dhe e depozituar pranë SPAK-ut, e cila, sipas Metës, do të publikohet pas seancës paraprake të gjykimit.
Ai theksoi se kontrata përfshinte një klauzolë të qartë që ndalonte çdo pagesë të parregullt, në përputhje me ligjin amerikan kundër korrupsionit.
“Ndaj nëse është e vërtetë se GSIS ka pranuar pagesa nga biznesmeni shqiptaro-amerikan A.SH apo kushdo tjetër për llogari të LSI kjo i vlen vetëm drejtësisë amerikane për të proceduar kompaninë në fjalë për shkeljen e ligjeve amerikane por edhe të kontratës së nënshkruar me përfaqësuein e autorizuar të LSI në shkurt 2016”, shkruan Meta.
Meta shtoi se akuzat janë pjesë e një fushate politike dhe u shpreh me tone ironike ndaj kreut të SPAK.
“Nëse këto lajme e ndihmojnë Dumanin të rregullojë frymëmarrjen e rënduar në Kuvend, ia mirëkuptoj hallin, por nuk mund t’ia zgjidh unë. Ai ngatërron ligjin me Maliqin, Amerikën me Bangladeshin dhe McGonigalin me Amerikën. Verifikojini se mos letërporositë për Charles McGonigal i kanë mbetur në ishujt Azore se Hulusiu është i fortë në gjeografi” u shpreh Meta.
Reagimi i Ilir Metës
Provat amerikane të Dumanit janë si tigrat e Bangladeshit të Kimetes!
Dje u shpërnda lajmi i “madh” për të njëqindën herë në mediat e regjimit nga SPAK-u i Duman zëmekurit një natë më parë në Kuvendin e Shqipërisë se kishte mbërritur prova “amerikane” kundër Ilir Metës me letërporosi nga matanë Atlantikut.
Dua të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se “prova amerikane” kundër Metës është si tigrat nga Bangladeshi që solli Kimetja, që nuk prodhojnë energji për shqiptarët.
Edhe kjo “provë” nuk prodhon dot as fakt penal dhe as fajësi për Ilir Metën.
Midis kompanisë GSIS dhe LSI ka patur një kontratë shumë të detajuar e të mirëpërcaktuar se si realizohej çdo shërbim dhe çdo pagesë dhe kjo është në dispozicion të SPAK-ut e do bëhet publike nga ne pas seancës paraprake të gjykimit.
Vija e kuqe e theksuar në këtë kontratë ishte respektimi i ligjit antikorrupsion në SHBA për të mos pranuar asnjë pagesë të parregullt.
Ndaj nëse është e vërtetë se GSIS ka pranuar pagesa nga biznesmeni shqiptaro-amerikan A.SH apo kushdo tjetër për llogari të LSI kjo i vlen vetëm drejtësisë amerikane për të proceduar kompaninë në fjalë për shkeljen e ligjeve amerikane por edhe të kontratës së nënshkruar me përfaqësuein e autorizuar të LSI në shkurt 2016.
Po kështu nëse kjo është e vërtetë edhe shtetasi A.SH e kushdo tjetër duhet të procedohet nga drejtësia amerikane për shkelje të ligjeve amerikane.
Nëse dikush nga LSI ka autorizuar shtetasin A.SH të bëjë veprime të tilla të paligjshme padiskutim që duhet të përgjigjet maksimalisht para ligjit shqiptar.
Nëse prodhimi i lajmeve të tilla e ndihmon Dumanin të rregullojë frymëmarrjen e rënduar në Kuvend ia mirëkuptoj hallin, por nuk mund t’ia zgjidh dot unë.
Ai është mësuar të ngatërrojë ligjin me Maliqin, siç mund të ngatërrojë Amerikën me Bangladeshin dhe McGonigalin me Amerikën.
Verifikojini se mos letërporositë për Charles McGonigal i kanë mbetur në ishujt Azore se Hulusiu është i fortë në gjeografi.
E garantoj Dumanin se kjo histori nuk është një lojë “Kaladibrançe” dhe fundi i saj do jetë i merituar për këta mercenarë pa Atdhe dhe pa nder.
Lini një Përgjigje