Deputetja demokrate, Ina Zhupa, reagoi ndaj qëndrimeve të Kryeministrit Edi Rama për projektin TID në Durrës.
Zhupa deklaroi se argumentet e paraqitura nga Rama nuk qëndrojnë dhe se iniciativa nuk garanton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit.
Më tej, demokratja sqaroi se ligji për trashëgiminë kulturore, të cilit Rama i referohet si bazë ligjore për ndërhyrjen, është hartuar dhe financuar në vitin 2016 nga Albanian American Development Foundation.
Sipas saj, vetë fondacioni ka deklaruar se ka shpenzuar rreth 190 mijë dollarë për përgatitjen e këtij ligji. Ajo argumentoi se një ligj i sponsorizuar nga subjekti që sot përfiton nga projekti nuk mund të përdoret si detyrim ligjor për të justifikuar zbatimin e TID.
Deputetja shtoi se ndërhyrjet e parashikuara nuk kufizohen në zonën përreth Amfiteatrit të Durrësit, por prekin edhe banesa historike jashtë perimetrit të tij. Ajo deklaroi se disa prona me dokumentacion të rregullt, të vendosura në zona konservimi, po trajtohen si ndërtime informale.
Zhupa theksoi se projekti është hartuar pa verifikime të detajuara në terren dhe se ekspertët e angazhuar kanë punuar mbi të dhëna hartografike, duke klasifikuar si shtesa objekte ekzistuese dhe duke konsideruar si problematike ndërtesa të konservuara. Ajo e cilësoi projektin selektiv dhe klientelist dhe kërkoi pezullimin e menjëhershëm të tij.
Sipas saj, institucionet duhet të hartojnë një plan që ruan peizazhin historik të Durrësit dhe i shërben procesit për përfshirjen në listën e UNESCO, duke respektuar kriteret për mbrojtjen e vlerave identitare.
"ASNJË nga pretendimet e Edi Ramës për projektin TID nuk qëndron dhe nuk janë të vërteta. Projekti është klientelist dhe nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë dhe identitetit të Durrësit.
Së pari, ligji për trashëgiminë kulturore që i referohet Rama se i rrjedh detyrimi për të bërë TID, është i hartuar dhe i sponsorizuar nga vetë AADF, është hartuar në marrëveshje me Kunbaron më 19 Korrikut 2016. Madje vetë AADF ka deklaruar se ka shpenzuar rreth 190 mijë dollarë për përgatitjen e tij. Pra, një ligj i bërë nga vetë subjekti që sot përfiton nga projekti, nuk mund të përdoret si arsye “detyrim ligjor” për të justifikuar domosdoshmërinë e projektit TID. Një ligj i tillë, i kontestueshëm dhe antikushtetues në thelb, nuk përbën arsye të mjaftueshme.
Së dyti, kur Rama shprehet se “shteti po ndërhyn kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore”, faktet në terren tregojnë të kundërtën. Në Durrës, banesat historike me pronarë të identifikuar, në zona të konservimit dhe jo informale, po trajtohen njësoj sikur të ishin ndërtime pa leje. Kjo nuk është luftë kundër informalitetit, por cenim i trashëgimisë dhe i pronës së ligjshme.
Së treti, nuk bëhet fjalë për prona brenda amfiteatrit apo në perimetrin e tij të drejtpërdrejtë, të cilat mund të shpronësohen me çmim të drejtë tregu për interes publik. Bëhet fjalë për prona shumë larg amfiteatrit, deri në zonën e shkollës “Jani Kukuzeli”, që nuk kanë asnjë lidhje me nxjerrjen në pah të monumentit.
Projekti TID është hartuar pa matje dhe verifikime reale në terren. Të ashtuquajtur “ekspertë italianë” të angazhuar nga AADF kanë punuar mbi Google Maps, duke i konsideruar banesat e rregullta si “shtesa” dhe duke i trajtuar ndërtesat e konservuara si “prishje imazhi”, vetëm pse nuk janë ndërtuar të reja.
Ky projekt ka karakter selektiv dhe klientelist. Nuk është një plan për interes publik apo kombëtar. Nëse do të ishte i tillë, banesat historike do të ruheshin dhe restauroheshin, jo të zhdukeshin.
Pezulloni projektin dhe të bëhet një projekt që realisht mund ti shërbej dosjes së UNESCO sepse një nga kriteret thelbësore është ruajtja e peisazhin historik dhe mos cënimi i vlerave identitare. UNESCO nuk mbështet shëmbje dhe rikrijime të qyteteve me hapësira të gjelbëra por restaurime të vlerave historike. Trashëgimia kulturore nuk mbrohet duke e fshirë, por duke e ruajtur", shprehet Zhupa.
Lini një Përgjigje