Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e ndryshuar për Komisionet Hetimore Parlamentare.
Ndërkohë opozita i kërkoi Begajt të mos e firmoste por ta kthente mbrapsht. Në një reagim ndaj opozitës, presidenca argumenton pretendimet e opozitës dhe pse vendosi miratimin e ndryshimeve.
"Është pretenduar se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale. Ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të projektligjeve është çështje e Rregullores së brendshme të Kuvendit, kontrolli i zbatimit të së cilës kryhet nga organet e brendshme të Kuvendit, të ngarkuara nga vetë Rregullorja për këtë qëllim", thuhet në njoftim.
Po kështu, sipas argumenteve te Presidentit, pretendimi se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus nuk ka lidhje me ndonjë kërkesë të Kushtetutës, duke sqaruar se “nuk mund ta kthejë atë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi”.
Presidenti ben thirrje për dialog konstruktiv dhe bashkëpunim vullnetmirë midis forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Kujtojmë që votimi u bë pa debat dhe në mënyrë të njëanshme pasi opozita vijoi protestën për rrëzimin e dy kërkesave të saj për ngritjen e komisioneve hetimore gjatë sesionit të vjeshtës.
Ligji për komisionet hetimore u miratua me 75 vota në seancën e fundit parlamentare të dhjetorit. Ai erdhi në Kuvend me propozim të PS në kohën kur pikërisht refuzimi i komisioneve hetimore u kthye në mollë sherri mes opozitës dhe maxhorancës në Parlament.

Lini një Përgjigje