TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Qershor 2026, 18:23

Presidenti Begaj mesazh të rinjve: Shqipëria, në fazën vendimtare drejt anëtarësimit në BE

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti Begaj mesazh të rinjve: Shqipëria, në fazën

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim të diplomuarit e rinj të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, të cilët i përgëzoi për përfundimin me sukses të programit dhe i inkurajoi të angazhohen aktivisht në jetën publike dhe shoqërore të vendit.

Gjatë bashkëbisedimit, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e brezit të ri në forcimin e demokracisë dhe institucioneve, duke theksuar se njohuritë e fituara duhet të shërbejnë si bazë për një pjesëmarrje më të madhe në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimin e vendit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Presidenti Begaj theksoi se vendi ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, teksa po avancon në fazën e mbylljes së negociatave.

“Faza në të cilën ndodhemi kërkon shumë më shumë punë, shumë më shumë angazhim dhe shumë më shumë bashkëpunim për konsolidimin e shtetit ligjor, për të ndërtuar institucionet demokratike, për forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, për forcimin e medias dhe për dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv”, u shpreh Presidenti Begaj.

Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një nga objektivat më të rëndësishëm strategjikë të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe për përmbushjen e reformave dhe standardeve evropiane në të gjithë sektorët e shoqërisë.

Presidenti theksoi nevojën për vijimin e reformave transformuese, të cilat sipas tij dëshmojnë pjekurinë e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.

“Ju jeni ata që do të ndërtoni të ardhmen”, iu drejtua Begaj të rinjve, duke i nxitur të thellojnë njohuritë e tyre dhe të kontribuojnë aktivisht në jetën publike.

Gjatë takimit u diskutua edhe rëndësia e forcimit të demokracisë, rritjes së përgjegjshmërisë në vendimmarrje dhe përmbushjes së standardeve evropiane si elemente kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu kontributin e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike në krijimin e një kulture të re politike dhe qytetare me frymë evropiane, si dhe falënderoi Këshillin e Evropës për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces.

presidenti i republikës bajram begaj mesazh te rinjve anetaresim be

Lini një Përgjigje